Lewandowski drejt MLS-së? Sulmuesi polak nis bisedimet me Chicago Fire
E ardhmja e Robert Lewandowski-t mund të jetë larg Europës. Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, sulmuesi polak është nisur drejt Shteteve të Bashkuara së bashku me agjentin e tij, Pini Zahavi, për të negociuar një transferim të mundshëm te Chicago Fire.
Raportimet bëjnë të ditur se klubi amerikan i ka paraqitur Lewandowski-t një ofertë të rëndësishme, e cila parashikon një kontratë me kohëzgjatje dy ose tri vjeçare. Vendimi për kohëzgjatjen e marrëveshjes do t’i takojë vetë sulmuesit polak.
Pas një karriere të shkëlqyer në elitën e futbollit europian, ku ka shkëlqyer me Borussia Dortmundin, Bayernin dhe Barcelonën, Lewandowski mund të jetë pranë një aventure të re në MLS.
Për momentin nuk ka ende një marrëveshje zyrtare mes palëve, por udhëtimi i lojtarit dhe agjentit të tij në SHBA konsiderohet një sinjal i qartë se negociatat janë në një fazë të avancuar.
Nëse transferimi realizohet, Lewandowski do të bëhej një nga emrat më të mëdhenj që i bashkohet kampionatit amerikan, duke rritur më tej prestigjin e MLS-së dhe të Chicago Fire.