‘Ne jemi Brazili i Afrikës’, ylli i Marokut kërcënon ‘Seleçaon’

Kapiteni i Marokut, Achraf Hakimi, doli në konferencë për shtypin së bashku me trajnerin Mohamed Ouahbi në prag të ndeshjes së Botërorit 2026 ndaj Brazilit. Mbrojtësi i PSG-së tregoi ambiciet e larta të “Luanëve të Atlasit”, duke deklaruar se kombëtarja e tij synon të shkojë sa më larg në turne.

“Jemi të përqendruar dhe duam të japim maksimumin për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm. Kjo është e vetmja gjë që kemi në mendje”, u shpreh Hakimi.

Më pas ai bëri një deklaratë që ka tërhequr vëmendjen e mediave:

“Ne jemi Brazili i Afrikës, këtë e di e gjithë bota. Të gjithë e njohin Brazilin dhe cilësinë e lojtarëve të tij, por edhe ne jemi gati për ta. Personalisht jam i fokusuar te përgatitja për ndeshjen e nesërme. Objektivi ynë është t’i bëjmë të lumtur tifozët marokenë”.

Hakimi theksoi se Maroku dëshiron të zhvillojë një Botëror të madh dhe se gjithçka varet nga mënyra se si skuadra do ta nisë turneun.

Duke folur për yllin brazilian Vinicius Junior, mbrojtësi maroken tregoi respekt maksimal.

“E dimë cilësinë e Viniciusit. Kam luajtur disa herë kundër tij. Për ta ndalur atë dhe lojtarët e tjerë brazilianë duhet të mbrohesh si skuadër. Jemi përgatitur për çdo situatë dhe ndihem gati për këtë sfidë”, tha ai.

Nga ana e tij, trajneri Mohamed Ouahbi siguroi se skuadra është në gjendje të mirë fizike pavarësisht disa mungesave.

“Të gjithë lojtarët që kemi në dispozicion janë gati për të luajtur. Na vjen keq për Abde Ezzalzouli dhe Nayef Aguerd, sepse janë futbollistë të rëndësishëm, por kemi gjetur zgjidhjet e duhura dhe kemi besim te grupi”, deklaroi trajneri.

Sa u përket favoritëve, Hakimi nuk e sheh Brazilin si superior.

“Në një turne kaq të madh nuk ka favoritë. Është 50 me 50. Brazili ka shumë cilësi, por edhe ne kemi. Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar dhe detajet do të bëjnë diferencën. Shpresojmë që ato të jenë në anën tonë”, u shpreh kapiteni i Marokut.

Hakimi foli edhe për mungesën e Neymarit, duke pranuar se do të kishte preferuar ta kishte përballë në fushë.

“Më pëlqen të luaj kundër më të mirëve dhe Neymar është një prej tyre. E di se ky mund të jetë Botërori i tij i fundit dhe do të më kishte pëlqyer të përballesha me të”, përfundoi mbrojtësi maroken.

Maroku dhe Brazili bëjnë pjesë në Grupin C të Kupës së Botës 2026, së bashku me Haitin dhe Skocinë.