Muçollari: Refuzoi edhe sot të dëgjojë qytetarët, populli i lirë është më i shumtë se rrethi që i ka mbetur Ramës

Anëtari i kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari ka komentuar sjelljen e sotme të Edi Ramës.

Muçollari shkruan në një reagim në rrjete sociale se, Rama refuzoi edhe sot të dëgjojë zërin e qytetarëve të lirë.

Sipas tij, numri i qytetarëve të lirë është shumë më i madh se, rrethi që i ka mbetur Edi Ramës.

Reagimi i Grigels Muçollarit:

Edi Rama refuzoi edhe sot të dëgjojë zërin e qytetarëve që kanë mbushur sheshet në revoltë kundër arrogancës dhe abuzimit me pushtetin.

Edhe pse mori 3 ditë pushim, ai prodhoi vetëm një mburrje për veten para militantëve dhe administratës, dhe nuk solli asgjë të re në kapicën e fjalimeve boshe. As ide, as përmbajtje.

Populli i lirë, të rinjtë e të rejat, qytetarët e çliruar nga frika dëshmuan dhe sot se janë shumë më tepër se rrethi që i ka mbetur Ramës, por sidomos janë në epërsi morale. Kontrasti në këtë mbrëmje ishte më i qartë se asnjëherë tjetër.

Edi Rama e ka humbur betejën. Ai nuk po fiton kohë se s'ka më as fabul, as projekt. Thjesht po zgjat lëngatën e një pushteti thellësisht të korruptuar.

Sot Edi Rama ishte edhe më i dobët. Nesër edhe më tepër.

Kështu do jetë çdo ditë që do injorojë thirrjet poshtë zyrës së tij.. Nuk ka rrugë tjetër përveç largimit!