Benitez zgjedh favoritët e Botërorit 2026: Befasi mund të jetë Maroku, Norvegjia apo...
Teksa Kupa e Botës 2026 ka nisur të marrë vëmendjen e tifozëve në mbarë botën, trajneri i njohur spanjoll, Rafa Benitez, ka dhënë parashikimet e tij për skuadrat që kanë më shumë shanse për të triumfuar në turne.
Ish-trajneri i Interit dhe Napolit e sheh Francën dhe Spanjën si dy favoritet kryesore për të ngritur trofeun në fund të kompeticionit.
“Franca ka një sasi të jashtëzakonshme talentesh, deri në atë pikë sa mund të lërë jashtë lojtarë të nivelit shumë të lartë. Mjafton të mendosh për Dembélé, Barcola, Doué, Thuram, Olise dhe Mbappé”, u shpreh Benitez.
Trajneri spanjoll vlerësoi gjithashtu Spanjën, duke theksuar cilësinë e brezit aktual të lojtarëve.
“Ata kanë futbollistë si Lamine Yamal dhe Nico Williams, ndërsa në mesfushë mund të mbështeten te lojtarë të jashtëzakonshëm si Pedri dhe Rodri”, tha ai.
Në mesin e kombëtareve pretendente për titull, Benitez përfshiu edhe Gjermaninë dhe Anglinë.
“Gjermania duhet marrë gjithmonë seriozisht për shkak të historisë së saj, ndërsa Anglia ka lojtarë të nivelit të lartë si Bellingham, Saka, Gordon dhe Rice”, shtoi tekniku madrilen.
Sa u përket surprizave të mundshme të turneut, Benitez përmendi Marokun, Norvegjinë dhe Senegalin.
“Maroku mund të bëjë një tjetër paraqitje të madhe. Po ashtu, Norvegjia me Haaland dhe Odegaard ka potencial të madh, ndërsa Senegali i Koulibaly mund të jetë një kundërshtar shumë i vështirë për këdo”, deklaroi ai.
Benitez nuk la pa përmendur as Holandën, të cilën e konsideron një skuadër me liderë në çdo repart, si dhe Portugalinë, që sipas tij vazhdon të ketë një grup lojtarësh me cilësi të lartë.
Sipas trajnerit spanjoll, Botërori 2026 pritet të jetë një nga më konkurruesit e viteve të fundit, me disa favoritë të qartë, por edhe me kombëtare që mund të surprizojnë dhe të shkojnë shumë larg në turne.