Federata Italiane i përgjigjet Infantino-s: Deklaratë e pavend, futbolli mëson respektin
Pas deklaratave ironike të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për mungesën e Italisë në Botëror dhe idenë e zgjerimit të turneut deri në 64 apo madje 228 skuadra, ka ardhur edhe reagimi zyrtar nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC).
Sipas burimeve pranë federatës, këto deklarata janë cilësuar si “të pamenduara” dhe “një mungesë stili”, që sipas tyre ka prekur ndjeshmërinë e gjithë komunitetit sportiv italian.
Në reagimin e FIGC theksohet se, pavarësisht rezultateve në fushë, futbolli duhet të mbetet një hapësirë ku respektohen vlerat themelore të sportit. Federata nënvizon se në fitore dhe në humbje, loja më e bukur në botë duhet të mësojë mbi të gjitha respektin.
Në këtë moment delikat për futbollin italian, presidenti i FIGC ndodhet në një situatë tranzicioni, ndërsa Gabriele Gravina vijon të mbetet në detyrë vetëm për çështje urgjente dhe administrative.
Më herët, ka reaguar edhe ministri italian për Sportin dhe Rininë, Andrea Abodi, i cili ka zgjedhur një qasje më të matur ndaj çështjes.
Ai është shprehur se fillimisht dëshiron të verifikojë saktësinë e deklaratave dhe më pas të japë një opinion të plotë. Abodi ka theksuar gjithashtu se do të kërkojë një komunikim të drejtpërdrejtë për të kuptuar më mirë qëndrimin e Infantino-s, duke shpresuar në një sqarim të situatës.
Debati vjen në një moment të ndjeshëm për futbollin italian, i cili po përballet me kritika dhe reflektim pas mungesave të fundit në skenën më të madhe ndërkombëtare.