Kadastra ‘zgjohet’ për zgjedhje, regjistrimi i titujve të tokës bujqësore rekord në 2025

Ashtu si edhe me legalizimet, edhe për regjistrimin e titujve të tokës bujqësore, Kadastra është bërë shumë e shkathët në vitin zgjedhor 2025.

Të dhënat tregojnë se regjistrimi i titujve mbi tokën bujqësore pati rritje të fortë në vitin 2025. Në vitin 2019 u regjistruan 8,311 tituj, në vitin 2020 18,576, në vitin 2021 22,400, në vitin 2022 18,296, në vitin 2023 8,820 dhe në vitin 2024 vetëm 1,627.

Në vitin 2025, regjistrimet u rritën në 26,769 tituj, duke e çuar totalin për periudhën 2019–2025 në 104,799 tituj të regjistruar mbi tokën bujqësore.

Edhe në këtë rast ashtu edhe si me legalizimet, ka dy periudha rritjeje të regjistrimeve, në vitin 2025 dhe 2021, që përkojnë me vitet e zgjedhjeve të përgjithshme.

Në përgjithësi, formalizimi i tokës bujqësore vijon të mbetet një nga proceset më të vështira të pronësisë në Shqipëri, kryesisht për shkak të dokumentacionit të mangët dhe vonesave të trashëguara nga ndarja e tokës pas vitit 1991. Në raportin për vitin 2025, Agjencia Shtetërore e Kadastrës evidenton se procesi ka ecur, por jo me të njëjtin ritëm me numrin e kërkesave të administruara nga qytetarët.

Kalimi në pronësi i tokës bujqësore të dhënë në përdorim lidhet me ligjin 7501/1991 ‘Për tokën’, ndërsa pas hyrjes në fuqi të ligjit 20/2020 ‘Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë’, procesi u bazua te dokumentacioni i ndarjes së tokës i depozituar pranë njësive vendore, ish-seksioneve të kadastrës dhe Drejtorive të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës. Por ASHK thekson se ky dokumentacion është dorëzuar me vonesa dhe, në shumë raste, është i paplotë.

Sipas raportit, dokumentacioni i ndarjes së tokës ende nuk është dorëzuar plotësisht nga Drejtoritë e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë këshillave të qarqeve Vlorë, Berat, Gjirokastër dhe Kukës, si edhe nga prefekturat e qarqeve Berat, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë. Edhe pse bashkitë e kanë dorëzuar dokumentacionin arkivor që kanë administruar, ASHK vëren se ai është shumë i mangët, çka e vështirëson verifikimin ligjor të kalimit të tokës nga përdorimi në pronësi.

Në total, nga njësitë e vetëqeverisjes vendore janë administruar mbi 27,000 kërkesa për këtë proces. Gjatë vitit 2025 janë trajtuar 2,454 kërkesa dhe janë dhënë 245 vendime për kalimin ose moskalimin e tokës bujqësore nga përdorimi në pronësi. Diferenca e madhe mes kërkesave të trajtuara dhe vendimeve të marra lidhet, sipas ASHK, me problematikat në plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm ligjor.

Megjithatë, viti 2025 shënon një rritje të ndjeshme të vendimmarrjes. Në vitin 2022 ishin marrë vetëm 15 vendime për kalimin e tokës bujqësore nga përdorimi në pronësi, në vitin 2023 vetëm 6 vendime, ndërsa në vitin 2024 numri u rrit në 41. Në vitin 2025, vendimet arritën në 245, niveli më i lartë i periudhës së raportuar.

 

Këto të dhëna tregojnë se formalizimi i tokës bujqësore ka marrë ritëm gjatë vitit 2025, por mbetet ende i kushtëzuar nga cilësia e dokumentacionit të trashëguar. /Ekofin.al