Kaká e pranon: Unë dhe Hazard, transferimet më të dështuara të Real Madridit në epokën moderne
Ish-ylli brazilian, Kaká, ka bërë një deklaratë të fortë duke e cilësuar veten dhe Eden Hazard-in si dy nga transferimet më të dështuara në historinë e fundit të Real Madridit.
Kaká iu bashkua Real Madridit në verën e vitit 2009 për rreth 67 milionë euro, menjëherë pas fitimit të Topit të Artë dhe sukseseve të mëdha me Milanin. Ai u bë pjesë e projektit të ri “Galácticos” së bashku me Cristiano Ronaldon dhe Karim Benzema-në, në një periudhë me pritshmëri të jashtëzakonshme.
Megjithatë, në një intervistë për Rio Ferdinand në YouTube, braziliani pranoi se aventura e tij në Madrid nuk shkoi siç ishte menduar dhe se, sipas tij, perceptimi publik e vendos atë mes dështimeve më të mëdha të klubit.
“Përvoja ime në Madrid ishte shumë e komplikuar, si në aspektin personal ashtu edhe profesional. Kam ardhur nga Milani si lojtari më i mirë në botë, por nëse shikon listën e transferimeve të pasuksesshme të Real Madridit, mendoj se unë jam aty së bashku me Eden Hazard-in”, u shpreh Kaká.
Sipas tij, dy faktorët kryesorë që ndikuan në performancën e dobët ishin dëmtimet e shumta dhe konkurrenca e fortë brenda skuadrës. Me ardhjen e trajnerit José Mourinho, hapësirat u bënë edhe më të kufizuara.
“Mourinho preferonte lojtarë si Özil, Di María, Benzema dhe Cristiano Ronaldo. Ishim shumë lojtarë për pak vende në formacion dhe ai mori vendimet e tij”, shtoi ai.
Megjithatë, Kaká theksoi se periudha në Madrid ishte edhe një sfidë personale e rëndësishme, ku ai u përpoq vazhdimisht të rikthente formën dhe besimin e trajnerit.
“Pyesja shpesh veten kush isha realisht: lojtari më i mirë në botë apo një nga transferimet më të këqija të Real Madridit?”, rrëfeu ai.
Pavarësisht vështirësive, braziliani theksoi se marrëdhënia e tij me klubin mbeti pozitive dhe kujtoi me respekt mbështetjen e presidentit Florentino Pérez në momentin e largimit, duke mbyllur një kapitull të vështirë, por të rëndësishëm të karrierës së tij.