Stuhi të forta dhe reshje të dendura shiu përfshijnë Greqinë, autoritetet apel qytetarëve për kujdes
Moti i keq ka përfshirë disa rajone të Greqisë, duke sjellë reshje të dendura shiu dhe stuhi të forta. Sipas meteorologëve, fenomenet e motit të paqëndrueshëm pritet të vijojnë edhe gjatë orëve në vijim, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar.
Breshër është regjistruar në Mandra të Atikës, si dhe në rajonet e Fthiotidës dhe Larisës. Fenomene të ngjashme atmosferike janë raportuar edhe në Kostur, ku moti i keq ka qenë më i theksuar.
Sipas parashikimeve meteorologjike, përkeqësimi i motit do të zgjasë deri në fund të pasdites, me stuhi lokale që pritet të prekin edhe pjesë të Atikës. Fenomenet mund të shoqërohen me reshje intensive shiu, aktivitet të lartë rrufesh, erëra të forta dhe breshër.
Ndërkohë, mediat lokale raportojnë për pasoja në disa zona, ku pemë dhe degë të shumta janë rrëzuar duke bllokuar rrugët. Dëme të konsiderueshme janë shënuar edhe në sektorin e bujqësisë, veçanërisht në kulturat e fëstëkut dhe pemët frutore, të cilat janë goditur nga erërat e forta dhe breshëri.
Meteorologët paralajmërojnë se moti i paqëndrueshëm do të vijojë edhe në orët e ardhshme, ndërsa qytetarëve u rekomandohet të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e prekura nga stuhitë.