Ligji për Zonat e Mbrojtura/ Shoqëria Civile bojkoton proceset konsultuese: Po paraqitet një normalitet institucional që s’ekziston
Organizatat e Shoqërisë Civile kanë paralajmëruar bojkot të proceset konsultuese të Ministrisë së Mjedisit për Ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Në njoftimin zyrtar të shpërndarë për mediet, organizatat e shoqërisë civile shprehen të vendosur për të mos marrë pjesë në proceset konsultuese, sa kohë që mbetet në fuqi Ligji nr. 21/2024 për ndryshimin e Ligjit për Zonat e Mbrojtura, i cili sipas tyre i ka hapur rrugën zhvillimeve dhe ndërhyrjeve në territore që duhet të gëzojnë nivelin më të lartë të mbrojtjes mjedisore në vend.
‘Në këtë kuadër, organizatat mjedisore kanë refuzuar të legjitimojnë tryezën e konsultimit publik të projekt-akteve, të thirrur nga Ministria më 12 qershor, duke e bojkotuar dhe duke mos dhënë komente teknike, me qëllim që të mos bëhen pjesë e një procesi që synon të paraqesë një normalitet institucional që nuk ekziston’, thuhet në njoftim.
Organizatat e Shoqërisë Civile e konsiderojnë shfuqizimin e ndryshimeve të miratuara me Ligjin nr. 21/2024, si edhe anulimin/moslejimin e projektit të ndërtimit të resorteve turistike në Zonën e Mbrojtur “Pishë Poro-Nartë”, si një kusht të panegociueshëm dhe paraprak për çdo dialog të mëtejshëm institucional mbi çështjet e mjedisit dhe procesin e integrimit evropian.
Kjo kërkesë, theksojnë ata, nuk përfaqëson vetëm një shqetësim të organizatave mjedisore, por është reflektuar qartë edhe në piketat përmbyllëse të Komisionit Evropian për kapitullin 27 të negociatave, të cilat kërkojnë garantimin e mbrojtjes efektive të zonave të mbrojtura dhe përafrimin e plotë me standardet evropiane të ruajtjes së biodiversitetit.
Njoftimi:
Organizatat e Shoqërisë Civile Mjedisore bojkotojnë proceset konsultuese të Ministrisë së Mjedisit deri në shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura
Tiranë, 12 qershor 2026 Organizatat e Shoqërisë Civile mjedisore shprehin qëndrimin e tyre të qartë se nuk mund të marrin pjesë në proceset konsultuese të organizuara nga Ministria e Mjedisit për sa kohë që mbetet në fuqi Ligji nr. 21/2024 për ndryshimin e Ligjit për Zonat e Mbrojtura, i cili ka hapur rrugën për zhvillime dhe ndërhyrje në territore që duhet të gëzojnë nivelin më të lartë të mbrojtjes mjedisore në vend. Në këtë kuadër, organizatat mjedisore kanë refuzuar të legjitimojnë tryezën e konsultimit publik të projekt-akteve, të thirrur nga Ministria më 12 qershor, duke e bojkotuar dhe duke mos dhënë komente teknike, me qëllim që të mos bëhen pjesë e një procesi që synon të paraqesë një normalitet institucional që nuk ekziston. Ndërkohë që diskutohet përafrimi i mëtejshëm i legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian, në terren po avancojnë projekte të mëdha infrastrukturore dhe turistike brenda rrjetit kombëtar të zonave të mbrojtura, duke cenuar rëndë integritetin e këtyre ekosistemeve dhe duke vënë në pikëpyetje serioze angazhimin real të institucioneve ndaj standardeve evropiane të mbrojtjes së natyrës.
Ky qëndrim mbështetet edhe në reagimet dhe deklaratat e përbashkëta të organizatave mjedisore të publikuara1 2 3, të cilat kanë kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme ndërhyrjet në zonat e mbrojtura dhe ndryshimet ligjore që cenojnë integritetin e tyre. Organizatat e Shoqërisë Civile e konsiderojnë shfuqizimin e ndryshimeve të miratuara me Ligjin nr. 21/2024 si edhe anulimin/moslejimin e projektit të ndërtimit të resorteve turistike në Zonën e Mbrojtur “Pishë Poro-Nartë” si një kusht të panegociueshëm dhe paraprak për çdo dialog të mëtejshëm institucional mbi çështjet e mjedisit dhe procesin e integrimit evropian. Kjo kërkesë nuk përfaqëson vetëm një shqetësim të organizatave mjedisore, por është reflektuar qartë edhe në piketat përmbyllëse (closing benchmarks) të Komisionit Evropian për kapitullin 27 të negociatave, të cilat kërkojnë garantimin e mbrojtjes efektive të zonave të mbrojtura dhe përafrimin e plotë me standardet evropiane të ruajtjes së biodiversitetit.
Për këtë arsye, Organizatat e Shoqërisë Civile nuk e konsiderojnë relevante pjesëmarrjen në konsultime teknike për akte të reja ligjore dhe nënligjore, për sa kohë që çështja më themelore e mbrojtjes së zonave të mbrojtura mbetet e pazgjidhur. Përpjekjet për të demonstruar progres në procesin e integrimit nuk mund të jenë të besueshme kur problematika më serioze identifikuar në fushën e mjedisit vazhdon të mbetet e hapur. Ky qëndrim merr një rëndësi të veçantë në një moment kur qytetarët, aktivistët dhe komunitetet lokale në mbarë vendin kanë protestuar për 12 ditë me radhë, duke kundërshtuar cenimin e zonave të mbrojtura dhe duke kërkuar mbrojtjen e trashëgimisë natyrore të Shqipërisë.