Euro U-21 2027/ Si po transformohet ‘Arena e Demave’, kalon nga tapeti artificial në bar natyral
Në kuadër të përgatitjeve për finalet e Kampionatit Europian U-21, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Shqipëri, kanë nisur punimet për transformimin e fushës në stadiumin “Arena e Demave”.
Projekti parashikon zëvendësimin e plotë të tapetit artificial me bar natyral, një ndërhyrje e rëndësishme për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare të kërkuara për kompeticionet e UEFA-s.
Aktualisht, në stadium ka nisur procesi i heqjes së sipërfaqes artificiale, ndërsa në fazat e ardhshme do të instalohet sistemi modern i vaditjes, i domosdoshëm për mirëmbajtjen e fushës natyrale.
Pas përfundimit të këtyre punimeve teknike, do të vijojë procesi i mbjelljes së barit natyral, me synimin për të krijuar kushte optimale për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe për të garantuar cilësi të lartë të lojës.
Paralelisht me “Arena e Demave”, punime po zhvillohen edhe në stadiumin “Air Albania”, ku po vendoset një tapet i ri me bar hibrid, në përputhje me standardet më të fundit të UEFA-s për kompeticionet ndërkombëtare.
Këto investime synojnë të përmirësojnë infrastrukturën sportive në vend dhe të sigurojnë kushte sa më të mira për organizimin e Euro U-21 2027 në Shqipëri.