VIDEO-Vendimi i SHBA/ Balliu: Sali Berisha doli i pastër nga sulmi më i madh politik i dekadave të fundit

Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, deklaroi në ‘Syri Digjital’ në SYRI TV, me moderatorin Bled Marku, se ndalimi i hyrjes në SHBA i Sali Berishës, ishte rezultat i një hakmarrjeje politike të orkestruar nga PS-ja, me synimin për të eliminuar pengesën kryesore ndaj projektit të saj për kapjen e shtetit.

Sipas Balliut, e gjithë fushata kundër Berishës u ndërtua mbi informacione të rreme dhe një fabrikim akuzash të shpërndara përmes kanaleve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Balliu argumentoi se ajo që nisi si një goditje politike ndaj kryetarit të PD-së është kthyer sot në avantazhin më të madh të tij politik.

Sipas tij, fakti që pas viteve të tëra hetimesh dhe akuzash nuk është provuar asnjë shkelje ndaj Berishës, e bën atë politikisht më të fortë se kurrë. Duke folur për raportet e opozitës me partnerët ndërkombëtarë, Balliu tha se Partia Demokratike e kishte tejkaluar prej kohësh çështjen e izolimit diplomatik.

Sipas Balliut, heqja e ndalimit të moshyrjes në SHBA të Berishës, nuk përbën vetëm një lehtësim për Partinë Demokratike, por një problem serioz për Partinë Socialiste.

‘Pra, duhet të themi që u vërtetua një akt hakmarrjeje i Partisë Socialiste ndaj Sali Berishës. Një hakmarrje që lidhet me rrëzimin e pushtetit të tyre në vitet ’90. Ata gjetën momentin e duhur, kur kishin mundësinë të blinin informacione të rreme dhe të paguanin kanale të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare për krijimin e një fabule, mashtrimi mbi Sali Berishën.

Ky mal me shpifje ra, por nuk është kjo e vetmja arsye. Kërkesa e Partisë Socialiste për shpalljen ‘non grata’ të Sali Berishës ishte edhe për një nevojë tjetër, sepse ai përbënte për ta një kërcënim për ekzekutimin e planit të tyre në lidhje me vendosjen e regjimit që, fatkeqësisht, Shqipëria po përjeton sot. Të atij regjimi që pastron paratë e drogës në ndërtim, në turizëm, në call center-a. Të atij regjimi ku nuk ka një vijë ndarëse midis partisë dhe qeverisë. Të atij regjimi ku kërcënohet jeta e qytetarëve, ku nuk ka demokraci, ku ka kapje të sistemit dhe të një regjimi ku e gjithë ekonomia është në shërbim të dy-tre qeveritarëve.

Në këtë aspekt, Sali Berisha përbënte një kërcënim absolut për këtë plan, për këtë projekt. Ndaj edhe shpallja ‘Non grata’ ishte nevojë themelore e regjimit. Ata e arritën, por ajo çfarë ishte një sukses i tyre në atë moment, tani u kthehet atyre si halli më i madh. Dhe ajo çfarë ishte një goditje për Sali Berishën në atë moment, tanimë është dhurata më e madhe që mund t’i bëhej.

Pse?

Sot, në mënyrën më absolute, Sali Berisha është zyrtarisht politikani më i hetuar në Europë. Politikani më i hetuar në Europë, që nuk i është gjendur absolutisht asgjë. Pra, de facto, është sot zyrtarisht politikani më i pastër në Europë.

Çdo akuzë e ngritur ndaj tij është rrëzuar, jo nga gjykata apo institucione të Shqipërisë, që mundet me të drejtë dikush të ngrinte pikëpyetje nëse pushteti apo autoriteti i tij i kishte dhënë mundësinë të merrte vendime të mira në mungesë të drejtësisë, por tanimë nga institucionet më të larta të botës, nga institucioni më i lartë i botës.

Sepse, në qoftë se qoftë edhe një akuzë e vetme do të kishte qenë e vërtetë, atëherë ‘Non grata’ e Sali Berishës nuk do të ishte hequr kurrë. Kurrë! Kjo është absolute.

Në këtë aspekt, sot Sali Berisha ka armën më të madhe që do të donte të kishte çdo politikan: është politikani zyrtarisht, nga pikëpamja kombëtare dhe ndërkombëtare, më i pastër në aksionin politik aktual, sepse është i provuar si i tillë. Nuk them që s’ka politikanë të tjerë të pastër, por është i provuar.

I gjithë mali me akuza të ngritura ndaj tij u faktua se ishin shpifje të rëndomta për interesa të mirëfillta politike dhe, konkretisht, për vendosjen në funksion të regjimit që ne sot përjetojmë. Pra, në këtë aspekt, ajo që nisi si një goditje për Sali Berishën, sot është arma e Sali Berishës për kundërshtarët e tij dhe për të gjithë ata që kërkojnë t’i bëjnë dëm Shqipërisë.

Mendoj që Partia Demokratike prej kohësh e ka kaluar çështjen e takimeve me ambasadorë apo jo. Ne kemi qenë në marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë kësaj kohe kemi pasur kontakte të vazhdueshme, deputetë të ndryshëm të Partisë Demokratike, jo vetëm me Shtetet e Bashkuara, por me të gjithë Europën. Edhe unë aktualisht ndodhem në Gjermani, po ashtu në takime. Pra, opozita e kishte tejkaluar atë.

Këtu tanimë bëhet fjalë për nivele të tjera, nivele të larta. Padiskutim, heqja e ‘Non grata’-s lehtëson situatën e Partisë Demokratike, por njëkohësisht rëndon situatën e Partisë Socialiste. Sepse, për të gjithë këtë mal me shpifje të çuara deri në Shtetet e Bashkuara, dikush do të duhet të mbajë përgjegjësi. Dhe jam i bindur që kjo do të vijë.

Besoj që shumë shpejt do të duhet të ngremë pyetjen nëse Edi Rama mund ta kalojë oqeanin apo jo. Pra, në këtë aspekt, mendoj që kjo është një çështje shumë herë më e madhe sesa disa takime që janë formale me ambasadat respektive të vendeve aleate, të cilat janë tejet të rëndësishme dhe jetike për vazhdimësinë dhe bashkëpunimin në interes të Shqipërisë, qoftë për integrimin, por edhe për sigurinë tonë kombëtare.

Mendoj që ajo çfarë kjo sjell sot në Partinë Demokratike, padiskutim, ka një rivitalizim të energjive të strukturave të Partisë Demokratike, ka një shpërthim emocional të anëtarëve të Partisë Demokratike, të cilët kanë qëndruar krah kësaj partie, krah liderit të tyre në momente tejet të vështira.

Kanë qëndruar në një formë stoike, heroike mund të them, në një moment kur një Shqipëri e tërë e dezinformuar, disa edhe nga ligësia e tyre, por një pjesë e madhe thjesht të dezinformuar, shikonin çdo demokrat si antiamerikan.

Dhe, padiskutim, në qoftë se një socialisti i thua antiamerikan, nuk është se e ka shumë problem, por për demokratët, që ishin dhe mbeten gjithmonë njerëzit më të afërt dhe shpresat e të cilëve kanë qenë gjithmonë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për demokratët që themeluan partinë e parë opozitare dhe sollën pluralizmin në Shqipëri, ajo ishte një goditje shumë e rëndë emocionale.

Dhe sot, patjetër, ka një lirshmëri, një çlirim të gjithë strukturës, i cili do të përkthehet gjithashtu edhe në një aksion dhe në takime të vazhdueshme në terren.

Në këtë aspekt, Partia Demokratike vjen tanimë me forca të shumëfishuara, me një program konkret për zgjidhjen e situatës aktuale ekonomike dhe politike të vendit tonë. Dhe, në këtë aspekt, mendoj që jemi drejt një përmbylljeje të një pushteti që prej vitesh ka masakruar’, u shpreh deputeti Klevis Balliu në SYRI TV.