Peru, policia arreston trafikantin me maskota të Botërorit për kamuflim: operacion i pazakontë në Lima

Një operacion i pazakontë policor në Peru ka përfunduar me arrestimin e një trafikanti droge, duke përdorur një metodë të maskuar që ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare.

Në lagjen Las Flores në Lima, policia kombëtare peruane ka arrestuar një 48-vjeçar të identifikuar si Carlos Cabrera, i njohur edhe me nofkën “Pichichi”, i dyshuar për mikrotrafik droge. Operacioni është realizuar në mënyrë kreative, ku dy agjentë policorë janë maskuar si maskotat zyrtare të Kupës së Botës, Clutch dhe Maple, për të mos ngritur dyshime gjatë ndërhyrjes.

Maskotat përfaqësojnë respektivisht Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, ndërsa operacioni u zhvillua pikërisht në momentin kur i dyshuari po ndiqte në shtëpinë e tij ceremoninë e hapjes së turneut.

Sipas policisë, përdorimi i maskimit si maskota të Botërorit rezultoi vendimtar për të siguruar arrestimin pa incidente dhe pa alarmuar të dyshuarin.

Gjatë kontrollit në banesë, autoritetet sekuestruan 2.524 doza crack, 210 gramë pastë kokaine, 209 gramë kanabis, një armë zjarri dhe municione. Hetuesit bëjnë me dije se Cabrera kishte precedentë të mëparshëm penalë për trafik droge dhe kishte vuajtur rreth nëntë vite burg në burgjet e kryeqytetit.

Autoritetet peruane theksojnë se operacione të tilla inovative synojnë të godasin rrjetet e mikrotrafikut në mënyrë sa më efikase, duke shmangur çdo rezistencë të mundshme gjatë ndërhyrjes.