Rashford fshin Barcelonën nga profili i tij, anglezi përgatitet për largimin
E ardhmja e Marcus Rashford-it duket gjithnjë e më larg Barcelonës. Sulmuesi anglez ka hequr çdo referencë për klubin katalanas nga profili i tij në Instagram, një veprim që konfirmon se aventura e tij me skuadrën spanjolle ka marrë fund.
Barcelona ka vendosur të mos aktivizojë opsionin e blerjes prej 30 milionë eurosh që kishte negociuar me Manchester Unitedin verën e kaluar, kur Rashford iu bashkua katalanasve në formë huazimi. Si pasojë, futbollisti do të duhet të rikthehet te klubi anglez dhe të vendosë për të ardhmen e tij gjatë merkatos së verës.
Deri pak ditë më parë, në përshkrimin e profilit të tij në Instagram, Rashford kishte shkruar se ishte lojtar i Barcelonës dhe i kombëtares së Anglisë. Tashmë ai ka hequr emrin e Barcelonës, duke lënë vetëm përfaqësuesen angleze.
Jo vetëm kaq, por sulmuesi ka ndryshuar edhe fotografinë e profilit. Në vend të një fotografie me fanellën e Barcelonës, ai tani shfaqet me fanellën e Anglisë, një tjetër sinjal i qartë se lidhja e tij me klubin katalanas ka përfunduar.
Rashford kishte shprehur dëshirën për të vazhduar karrierën te Barcelona, por drejtuesit e klubit nuk u bindën për ta blerë përfundimisht. Sipas medieve spanjolle, afrimi i Anthony Gordon-it ka mbyllur përfundimisht dyert për qëndrimin e anglezit në “Camp Nou”.
Megjithatë, sezoni i kaluar me Barcelonën ishte pozitiv për Rashfordin, i cili arriti të japë kontribut të rëndësishëm në skuadër. Tani ai do të duhet të vendosë nëse do të vazhdojë te Manchester United apo do të kërkojë një destinacion të ri për sezonin e ardhshëm.