Kaos te Mallorca, trajneri Demichelis largohet papritur, e pret Leipzigu
Lëvizje e papritur në pankinën e Mallorca-s. Trajneri Martin Demichelis ka vendosur të largohet nga klubi spanjoll për të nisur një aventurë të re në Gjermani, ku do të marrë drejtimin e Leipzigut.
Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja spanjolle Marca, e cila e cilëson këtë zhvillim si një surprizë të madhe. Largimi i Demichelisit vjen krejtësisht papritur, pasi marrëdhënia e tij me Mallorca-n dukej e qëndrueshme dhe gjithçka linte të kuptohej se bashkëpunimi do të vazhdonte edhe në sezonet e ardhshme.
Tekniku argjentinas kishte fituar besimin e drejtuesve dhe tifozëve të klubit spanjoll falë punës së tij në pankinë, por oferta e ardhur nga Leipzigu duket se ka ndryshuar planet e tij.
Për momentin nuk janë bërë publike detaje të tjera lidhur me marrëveshjen mes klubit gjerman dhe trajnerit, ndërsa mungojnë gjithashtu informacione mbi kushtet ekonomike apo kohëzgjatjen e kontratës së mundshme.
Leipzigu është një nga klubet më ambicioze në futbollin gjerman dhe pjesëmarrës i rregullt në garat evropiane, ndaj emërimi i Demichelis-it shihet si një hap i rëndësishëm në karrierën e ish-mbrojtësit argjentinas.
Ndërkohë, te Mallorca tashmë kanë nisur kërkimet për zëvendësuesin e tij, pasi largimi i trajnerit ka ardhur në një moment kur klubi po përgatitej për sezonin e ri. Ditët në vijim pritet të sjellin më shumë detaje mbi këtë operacion që ka tronditur ambientin e skuadrës spanjolle.