Cristiano Ronaldo: Kur të vijë momenti i vështirë, atëherë do të shohim kampionët e vërtetë

Kombëtarja e Portugalisë është gati për aventurën e saj në Botërorin 2026. Para nisjes drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kapiteni i luzitanëve, Cristiano Ronaldo, doli para medieve për të përcjellë optimizmin dhe ambicien që mbizotëron në kampin portugez.

‘Ylli’ portugez theksoi se skuadra po udhëton drejt Botërorit me besim të madh dhe me dëshirën për të bërë një paraqitje sa më të suksesshme.

“Jemi shumë të lumtur. E dimë se Botërori është gjithmonë një garë e veçantë, ashtu si Kampionati Evropian. Po shkojmë me shumë shpresë. Nga ana fizike jam mirë, a nuk i keni parë ndeshjet?”, u shpreh Ronaldo me humor.

I pyetur nëse Portugalia konsiderohet një nga pretendentet për të fituar trofeun, kapiteni portugez u tregua i kujdesshëm në vlerësimet e tij.

“Këtë do ta dimë vetëm në fund. Kemi një brez shumë të mirë lojtarësh, por ka faktorë që nuk mund t’i kontrollojmë, si rezultatet e ndeshjeve. Besoj se kjo gjeneratë do t’u sjellë shumë gëzime portugezëve”, deklaroi ai.

Ronaldo zbuloi gjithashtu formulën që, sipas tij, mund ta çojë Portugalinë drejt suksesit në turne.

“Përgatitjet kanë qenë të lodhshme, sepse kemi punuar fort. Kemi fituar në ndeshjet përgatitore, por më e rëndësishmja do të jetë kur topi të nisë të rrotullohet në ndeshjen e parë më 17 qershor. Kur gjërat të fillojnë të vështirësohen, atëherë do të shohim kampionët e vërtetë. Gjithçka do të varet nga shumë faktorë, por unë jam shumë pozitiv. E rëndësishme është të përfundojmë të parët në grup dhe më pas të ecim ndeshje pas ndeshjeje, hap pas hapi, me qetësi dhe vetëbesim”, përfundoi kapiteni i Portugalisë.

Portugalia hyn në Botërorin 2026 me pritshmëri të larta, ndërsa Ronaldo synon të udhëheqë skuadrën drejt një tjetër kapitulli të rëndësishëm në historinë e futbollit portugez.