Këlliçi pyet Guvernatorin Sejko për pronarët e Jet Bank, Banka e Shqipërisë nuk jep asnjë informacion

Sot, në Komisionin e Ekonomisë, ishte për raportim Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Gjatë këtij raportimi, deputeti i PD-së, Belind Këlliçi i drejtoi disa pyetje specifike Guvernatorit lidhur me licencimin e bankës së parë digjitale në vend, Jet Bank.

Guvernatori, edhe kësaj here, nuk dha përgjigje, por mbajti thjesht një leksion, ndërkohë që zv.guvernatorja e Bankës, Natasha Ahmetaj, tha vetëm se “i kemi të gjitha të dhënat”.

E pyetur se cilët janë aksionerët influencues sipas përcaktimit ligjor, ajo nuk kishte asnjë përgjigje konkrete. Madje, shprehu habi se si u kishte shpëtuar ky detaj, i cili, sipas pretendimeve të ngritura, e bën nul licencimin e dhënë për këtë bankë.

Ndërkohë, kur z. Këlliçi nxori Aktin e Themelimit të Jet Holdings BV dhe lexoi kapitullin për të Drejtat e Votimit dhe Vendimmarrjen, konkretisht nenin 6.5, zv.guvernatorja u shpreh se ishte hera e parë që haste këtë informacion dhe se do të duhej ta verifikonte, pasi përbënte interes madhor për procesin e licencimit të bankës së parë digjitale në vend, në raport me verifikimin e “pjesëmarrësve influencues”.