Kërcënim për Botërorin, hakerat iranianë: Disa skuadra nuk na pëlqejnë, kujdes me autobusët
Një grup hakerash i lidhur me Iranin ka lëshuar një kërcënim shqetësues ndaj Kupës së Botës që po zhvillohet aktualisht, duke ngritur alarmin për sigurinë e turneut më të madh të futbollit në planet.
Sipas organizatës SITE Intelligence Group, e cila monitoron aktivitetet e grupeve xhihadiste dhe organizatave të ngjashme, kolektivi i hakerëve i njohur si Handala pretendon se ka depërtuar në sistemet e dronëve të përdorur nga FBI.
Në deklaratën e publikuar nga grupi, thuhet se hakerët kanë pasur akses për muaj të tërë në pamjet dhe informacionet e mbledhura nga dronët FPV të përdorur nga autoritetet amerikane.
“Do të ishte mirë të forconit sigurinë e Kupës së Botës, sepse disa nga ato skuadra futbolli nuk na pëlqejnë aspak. Mos harroni: dronët FPV janë kudo dhe nuk dihet kurrë kur njëri prej tyre mund të përfundojë pikërisht kundër autobusit të skuadrës suaj”, thuhet në mesazhin kërcënues të Handala-s.
Kjo deklaratë ka shkaktuar shqetësim të madh, pasi vjen në një moment kur masat e sigurisë rreth Botërorit janë në nivel maksimal. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur raportime për incidente konkrete që lidhen me këto pretendime.
Para kërcënimeve ndaj Botërorit, agjencia iraniane e lajmeve Tasnim News Agency kishte publikuar një tjetër deklaratë të Handala-s. Sipas grupit, si përgjigje ndaj një sulmi të pretenduar ndaj infrastrukturës ujore iraniane, ata kishin depërtuar në sistemet e furnizimit me ujë në Kaliforni.
Hakerat pretenduan se, megjithëse kishin akses në sistemet përkatëse, zgjodhën të mos ndërprisnin furnizimin me ujë, duke e cilësuar veprimin vetëm si një paralajmërim ndaj Uashingtonit.
Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me këto pretendime, ndërsa vëmendja mbetet e përqendruar te siguria e Botërorit dhe mbrojtja e skuadrave pjesëmarrëse.