Ndërron jetë në banesë 14-vjeçari në Maliq, vuante nga epilepsia
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Vreshtas të Bashkisë Maliq, ku një 14-vjeçar ka ndërruar jetë në banesën e tij.
Sipas informacioneve paraprake, i mituri vuante nga epilepsia dhe kishte gjithashtu probleme kardiake që prej lindjes. Ka qenë nëna e tij ajo që ka kërkuar ndihmën e urgjencës mjekësore, por kur ekipet e bluzave të bardha kanë mbërritur në banesë, e kanë gjetur 14-vjeçarin pa shenja jete.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe shërbimet e policisë, të cilat po kryejnë veprimet proceduriale për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Mësohet se i mituri jetonte me nënën dhe njerkun e tij, pasi nëna ishte e divorcuar nga bashkëshorti.
Hetimet vijojnë, ndërsa paraprakisht dyshohet se vdekja mund të ketë ardhur si pasojë e problemeve shëndetësore nga të cilat vuante 14-vjeçari.