Ramën nuk e mbajnë nervat, lë në mes intervistën në Top Channel

Edi Rama është pyetur në Top Channel për protestën masive të qytetarëve të Tiranës dhe për detaje të projektit të Zvërnecit në një intervistë që nuk ka arritur ta përfundojë, por e ka lënë në mes duke u larguar i nervozuar.

Shkak janë bërë pyetjet e drejtueses së emisionit "Shqipëria live" Sidorela Gjoni, e cila mes të tjerash ka cituar Ivanka Trump për mënyrën se si e gjeti Sazanin dhe se si vendosi të investojë në atë që e quan "ishull privat".

Rama është përpjekur të ruajë qetësinë, dhe ka shfaqur dukshëm një fjalor më të zbutur përkundrejt protestuesve, të cilët më parë i ka krahasur me nazistët apo i ka konsideruar si njerëz të ndikuar nga agjenturat e huaja, greke, iraniane, serbe etj.

"Ça problemi ka që zhvillohen protestat? Janë pjesë e jetës demokratike, pjesë e jetës shoqërore në një vend që është i lirë, por protestat nuk janë matje force dhe as nuk maten me numra në kuptimin që pavarësisht se numrat mund të jenë të vegjël apo të mëdhenj, maten me qëllime, kauzën maten me kërkesat. Fakti që unë dhe PS jemi votuar në një shumicë shumë domethënëse nuk e përjashton faktin që një pjesë e njerëzve që jetojnë në këtë vend dhe bashkëndajnë një hapësirë kanë një qëllim dhe duan ta shprehin" u shpreh Rama.

Gjithsesi kryeministri tha se nuk do të jepte dorëheqjen pasi do të respektonte deri në fund kontratën me zgjedhësit e tij.

"Konkretisht unë kam një kontratë me shqiptarët dhe do ta respektoj deri në fund, nuk diskutohet" u shpreh Rama.