Vëllai i arrestuar nga SPAK/ Drejtoresha e Ramës kërkon 3 ditë kohë që t’i përgjigjet SYRI-t
Ditën e sotme, SPAK ka ndërmarrë një operacion të gjerë, ku janë sekuestruar miliona euro të vendosura në llogaritë e noteres Amela Muka, para të cilat ishin paguar nga “Albanian Land Development”një nga administratoret e të cilit ishte edhe Redi Struga.
Sipas burimeve për mediat, mes personave të përfshirë rezulton edhe biznesmeni Edmond Jaupi, CEO i Daikin/ESC, kompani e njohur në tregun e kondicionimit, për të cilin është caktuar masa “arrest në shtëpi”.
Por emri i Jaupit e bën çështjen edhe më delikate politikisht dhe institucionalisht. Ai rezulton të jetë vëllai i Elidiana Çelajt, aktualisht drejtoreshë e AKUK-ut, ndërsa më herët ka mbajtur postin e drejtoreshës së bizneseve VIP në Drejtorinë e Tatimeve.
Për të saktësuar lidhjen familjare mes Jaupit dhe Elidiana Çelajt, Syri TV iu drejtua drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve për reagim, por në institucionin që ajo drejton, stafi i afërt na komunikoi se drejtoresha nuk ishte e disponueshme për përgjigje deri ditën e hënë, duke marrë kështu tre ditë kohë për të saktësuar nëse personi i arrestuar nga SPAK është i vëllai i një prej personazheve më të rëndësishme të institucioneve të Rilindjes.