Largimi i Ramës i pari objektiv dhe e vetmja rrugë ku secili gjen veten!
Nga Petrit Vasili
Protesta që ka shpërthyer anë e mbanë vendit dhe nëpër botë është shumëatorja shumë e fortë e pasojave të një qeverisjeje të kalbur, që bën çdo turp vetëm e vetëm që të mbahet në këmbë.
Masiviteti i protestës ka vetëm një shpjegim, faktin që askush nuk ndihet mirë nën këtë qeverisje të krimbur, që i krijon probleme çdo shtrese e grupimi shoqëror, në të kundërt do të ishte shumë më e kufizuar, jo rezistente dhe pa nerv.
Konkluzioni është shumë i qartë, pa larguar Ramën askush nuk mund të marrë frymë, as qytetari i thjeshtë, as biznesmeni i vogël dhe i mesëm, as edhe qytetari i shtresës së mesme që kërkon siguri dhe nivel jetese më të mirë.
Në këtë kryqëzim rrugësh, pra qëndron si gur i madh, që bllokon të gjitha rrugët, Rama dhe largimi i tij është objektivi i parë dhe i padevijueshëm.
Rama ka në grushtin e tij Parlamentin, Qeverinë, Presidentin, Gjykatat, Prokuroritë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Institucionet gjoja të pavarura, Mediat pra të gjithë shtetin.
Largimi i Ramës së pari dhe mbi të gjitha godet plaçkitjen e votës dhe i hap rrugën zgjedhjeve të lira, të cilat nuk mund të jenë kurrë e kurrës të lira dhe të ndershme me Ramën kryeministër.
Asnjë subjekt i ri politik, që mund të formohet nuk mund të konfirmohet asnjëherë si faktor politik pa u votuar dhe qenia e Ramës kryeministër e bën këtë konfirmim elektoral absolutisht të pamundur për shkak të grabitjes industriale të votës nga Rama dhe qeveria, me shitblerjen e votës me paratë e qeverisë, të krimit dhe korrupsionit si dhe me patronazhistët, që manipulojnë e vjedhin votat në ditën e votimit dhe në numërimin e votave.
Askush nuk mund të parashikojë dot me saktësi skenarët e ardhshëm politikë të zhvillimit të vendit.
Ajo që është dhe mbetet objektivi kryesor dhe i patjetërsueshëm sot është krijimi i të gjitha premisave demokratike që populli të jetë ai dhe vetëm ai që të vendosë me votë të lirë dhe pa presion e frikësime.
Vota e popullit do të vendosë pra kush do të rrijë dhe kush do të ikë, kush e ka mbyllur misionin e tij në politikë dhe kush duhet ta marrë në dorë politikën, jashtë kësaj rruge nuk ka asnjë mundësi tjetër legale dhe kushtetuese që garanton ndryshimin e shumëpritur dhe të ligjshëm.
Çdo ide e program i ri politik kalon nga rruga e demokracisë, rrugë që aktualisht është mbyllur dhunshëm nga narkoqeveria e Ramës, që rri si gur në mes të rrugës.
Ndaj largimi i Ramës është objektivi përballë të cilit të gjithë të tjerët janë relativë, sepse prania e të parit i përjashton të gjithë të tjerat.
Të formulosh dhjetëra objektiva pa larguar Ramën do të thotë t'i bësh shërbim një romantizmi politik të destinuar të dështojë.
Ndaj të gjithë në shesh për të larguar Ramën dhe për të çliruar votën nga kriminelët elektoralë rilindas, në këtë mënyrë të gjithë do të vendosen në një garë si të barabartë dhe pastaj është sovrani popull vetëm ai që i jep vendin që i takon gjithsecilit.