Berisha: Heqja e përcaktimin të moshyrjes ndaj meje në përputhje të plotë me ligjet e ShBA
Kreu i PD, gjatë konferencës për mediat, u shpreh se heqja e percaktimit te moshyrjes ndaj tij është në përputhje të plotë me ligjet e Shteteve të Bashkuara.
Berisha theksoi se vendimi nuk lidhet me lobime personale, por është produkt i procedurave ligjore amerikane, duke falënderuar administratën e Presidentit Trump, Sekretarin Rubio, familjen, bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e tij.
Ai ftoi demokratët dhe qytetarët të vazhdojnë betejën për rikthimin e votës së lirë dhe të opozitës në pushtet.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Për të mos rënë pre e dezinformimit, kjo heqje 'non grata' për qytetarët ta kuptojnë më thjeshtë, apo lejimi i juaj dhe familjes suaj për të shkuar në Shtetet e Bashkuara, është produkt i lobimit apo është produkt i një vendimmarrje vetëm i Departamentit Amerikan të Shtetit?
Sali Berisha: Është një produkt në përputhje të plotë me ligjet që kanë Shtetet e Bashkuara. Me ligjet e Shteteve të Bashkuara. Këtu nuk do të kemi, sepse...
Anesti Bajramemaj: Keni lobuar apo jo?
Sali Berisha:
Një minutë, një minutë. Mund të bësh çdo përpjekje ti, po në qoftë se zyrtarët e Shteteve të Bashkuara e konsiderojnë jo të përshtatshme për vendin e tyre, çdo gjë përfundon në hiç.
Por unë meqë jam këtu thashë, falënderoj administratën e Presidentit Trump dhe Sekretarin Rubio, falënderoj familjen time, bashkëpunëtorët e mi të ngushtë, falënderoj të gjithë anëtarët dhe anëtaret e Partisë Demokratike, mbështetësit e saj, miqtë e mi në Shqipëri dhe kudo që janë, për solidaritetin e tyre të jashtëzakonshëm që kanë treguar ndaj meje në sagën time për të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor.
Falënderoj ata 500 mijë shqiptarë që në kushte më të vështira, më të jashtëzakonshme të farsave të shëmtuara elektorale, votuan Partinë Demokratike dhe Sali Berishën me mbi gjysmë milion votash.
Ndaj dhe unë ftoj qytetarët, demokratët dhe demokratet të vazhdojmë betejën tonë gjer në realizimin e misionit tonë, rikthimin e votës së lirë dhe të opozitës në pushtet.