Cucurella bën premtimin e çmendur për Botërorin 2026, në lojë është fytyra e trajnerit
Mbrojtësi i majtë i Spanjës, Marc Cucurella, është i njohur për premtimet e tij të pazakonta dhe duket se nuk ka ndërmend të ndryshojë traditën edhe për Kupën e Botës 2026.
Pas triumfit të Spanjës në Euro 2024, futbollisti i Chelseat mbajti fjalën e dhënë duke i lyer flokët e tij karakteristike me ngjyrë të kuqe.
Tani, para Botërorit, ai ka bërë një premtim edhe më të bujshëm.
Në një intervistë për “El Partidazo de COPE”, 27-vjeçari zbuloi se çfarë do të bënte nëse Spanja arrin të shpallet kampione e botës.
“Do të bëja një tatuazh të vogël të fytyrës së Luis de la Fuentes”, deklaroi Cucurella, duke shkaktuar buzëqeshje dhe reagime të shumta në mediet spanjolle.
Futbollisti tregoi se ka menduar edhe vendin ku do të vendoset tatuazhi, duke pranuar se ai mund të përfundojë në bicepsin e tij.
Sipas Cucurellës, Kupa e Botës ka një vlerë edhe më të madhe se Kampionati Evropian, ndaj edhe premtimi i tij këtë herë është më i guximshëm.
Mbetet të shihet nëse Spanja do të arrijë të ngrejë trofeun më prestigjioz të futbollit botëror dhe nëse mbrojtësi spanjoll do të detyrohet të mbajë përjetë në trup fytyrën e trajnerit Luis de la Fuente.