BE: Rregullat e ashpërsuara synojnë të stepin azilkërkuesit
Pas viteve të përgatitjes, këtë të premte hyn në fuqi një nga reformat më të mëdha të ligjit të azilit në Gjermani dhe në të gjithë Bashkimin Evropian. Më shumë kontroll në kufijtë e jashtëm të BE-së premton komisioneri i BE-së për migracionin, Magnus Brunner.
Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt flet për një ndryshim kursi. "Kthesa në migracion po jep efekt në Gjermani dhe edhe në nivel evropian. Jemi të vendosur që këtë rrugë ta vazhdojmë bashkë me vendet fqinje dhe partnere”, tha Dobrindt (CSU) në takimin e ministrave të Brendshëm të BE-së në fillim të qershorit.
Me "kthesë migracioni”, ministri nënkupton kontrollet kufitare mes shteteve të BE-së dhe refuzimin e azilkërkuesve në kufijtë gjermanë pa procedurë. Sipas tij, kjo ka çuar në uljen e numrit të aplikimeve.
Procedurat kufitare si filtër
Sistemi i ri "Sistemi i Përbashkët Evropian i Azilit” (GEAS) parashikon një kontroll paraprak të azilkërkuesve në kufijtë e jashtëm të BE-së dhe procedura të përshpejtuara për njerëzit që vijnë nga vende që konsiderohen të sigurta. Kjo do të thotë se azilkërkuesit, për shembull nga Pakistani, Irani, Rusia, Turqia, Venezuela, Nigeria ose Republika Demokratike e Kongos, do t'u nënshtrohen procedurave të shpejta në kufi dhe gjatë kësaj kohe do të qëndrojnë në strehimore pak a shumë të mbyllura.
Për ata që vijnë nga këto dhe shumë shtete të tjera, norma e pranimit të azilit është sipas Eurostat nën 20 për qind. Pas maksimumi 12 javësh, personat me vendim negativ duhet të deportohen në vendet e tyre të origjinës. Numri i vendeve të sigurta të origjinës pritet të rritet, në mënyrë që kërkesat për azil të refuzohen si të pabazuara.
Eksperti i migracionit Knaus është skeptik
Eksperti i migracionit Gerald Knaus, themelues i organizatës "European Stability Initiative”, dyshon në funksionimin e këtij sistemi. "Këto të ashtuquajtura procedura kufitare kanë qenë të mundshme edhe më parë. Tani janë të detyrueshme dhe në rastin më ideal, pas 12 javësh dihet që një person nga Bangladeshi në Itali apo nga Pakistani në Greqi nuk ka nevojë për mbrojtje. Por nuk ka përgjigje se çfarë ndodh më pas”, thotë ai.
Sipas tij, deportimet mbeten të vështira dhe azilkërkuesit e refuzuar mund të lëvizin drejt vendeve të tjera të BE-së, edhe pse në fakt përgjegjëse janë vendet e hyrjes së parë si Italia, Greqia dhe Spanja. "Këto vende gjithmonë kanë qenë të detyruara të kryejnë procedurat. Thjesht nuk ka funksionuar. Pse duhet të funksionojë tani? Do ta shohim.”
Shumica nuk kalojnë në procedura kufitare
Grupet më të mëdha të azilkërkuesve në vitin 2025 vinin nga Afganistani dhe Siria, sipas Komisionit Evropian. Për këto vende, norma e pranimit është mbi 20 për qind, prandaj ata nuk përfshihen në procedura kufitare, por në procedura të rregullta azili.
Eksperti Knaus pret që këta persona të vazhdojnë të vijnë në vende si Gjermania dhe Austria, të cilat në dekadën e fundit kanë marrë më shumë se gjysmën e vendimeve pozitive për azil në BE.
Ministri Dobrindt shpreson se rregullat e reja do ta lehtësojnë kthimin e azilkërkuesve nga Gjermania në vendet përgjegjëse të hyrjes së parë. Ai tha se ka marrë garanci nga Italia, Greqia dhe shtete të tjera.
Për të ndihmuar këto vende, GEAS parashikon një "solidaritet të detyrueshëm” nga shtetet e tjera të BE-së, që duhet të marrin përsipër një pjesë të procedurave. Si do të funksionojë kjo në praktikë mbetet e paqartë. Polonia dhe Hungaria nuk duan të marrin pjesë, ndërsa Gjermania thotë, se sivjet nuk do të pranojë azilkërkues të rinj për shkak të mbingarkesës.
A ndikojnë kontrollet kufitare apo ndryshimi i pushtetit në Siri?
Numri i aplikimeve për azil në Evropë dhe në Gjermani po bie prej dy vitesh. Dobrindt ia atribuon këtë kontrolleve kufitare. Megjithatë, Komisioni Evropian i ka kërkuar Gjermanisë t'i reduktojë gradualisht këto kontrolle.
Ekspertë si Knaus e kundërshtojnë këtë shpjegim. Ai thotë se rënia lidhet me zhvillimet në Siri: pas rrëzimit të Assadit në fund të vitit 2024, shumë më pak njerëz po largohen nga vendi, duke ulur ndjeshëm kërkesat për azil.
Përgatitjet jo "perfekte”
Reforma sjell shumë punë për Zyrën Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF). Sistemet dhe proceset duhet të përshtaten dhe stafi duhet të trajnohet.
Komisioni Evropian ka vënë në dukje se Gjermania, Greqia dhe Italia ende nuk i përmbushin plotësisht kërkesat e GEAS. Një përgjigje për gatishmërinë e plotë nuk është dhënë ende.
Komisioneri Brunner theksoi se hyrja në fuqi e reformës është vetëm fillimi: "Në fillim asgjë nuk është perfekte.”
Kampe kthimi për azilkërkues?
Për kthimin e azilkërkuesve nga Gjermania, vendet federale duhet të krijojnë "qendra kthimi”. Deri tani ekzistojnë vetëm dy të tilla, në Hamburg dhe Eisenhüttenstadt.
Në të ardhmen, deportimet nga BE-ja mund të realizohen edhe në vende të treta, në të ashtuquajturat "return hubs”. Aktualisht, këto ekzistojnë vetëm në letër.
Ministri Dobrindt njoftoi se vendet partnere do të identifikohen deri në fund të vitit. Kur do të ndërtohen këto qendra? "Kjo është ende një sfidë e madhe që duhet zgjidhur,” tha ai./ DW/