Berisha: PD mbështet fuqishëm protestën e rinisë dhe qytetarëve, ftoj çdo demokrat që t’i bashkohet

Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha tha gjatë një konference shtypi se, “PD mbështet fuqishëm protestën e rinisë dhe qytetarëve”.

Kreu demokrat ftoi, “çdo demokrat dhe mbështetës që t’i bashkohet asaj”.

Berisha: Jam këtu për të shprehur edhe njëherë mbështetjen më të fuqishme të PD-së për protestën madhështore të rinisë dhe qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.

Protestë, e cila është shndërruar në një uragan të fuqishëm kundër regjimit të Edi Ramës, të bazuar në farsën zgjedhore, krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Tirana nuk ka njohur në historinë e vet një protestë kaq të fuqishme dhe masive dhe persistente sa kjo.

Ndaj dhe thirrja ime për çdo demokrate e demokrat, mbështetëse dhe mbështetës të PD, të bashkohen në protestën e rinisë dhe qytetarëve të Tiranës, protestë kjo që tejkalon kufinjtë e forcave politike.

Por, që kërkon me vendosmëri fundin e regjimit autokratik të Edi Ramës.

Kërkon anulimin e një seri ligjesh për të cilat deputetët e PD në parlamentin e Shqipërisë kanë votuar kundër në komisione dhe në seancë plenare.

I kanë kundërshtuar këto ligje antikushtetuese dhe ligje që vijnë në kundërshtim me direktivat e BE edhe në Gjykatë Kushtetuese.

Pra, çdo demokrate e demokrat, çdo mbështetëse dhe mbështetës i PD, por edhe çdo qytetar i Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, ka motivet më të fuqishme për të mbështetur këtë protestë, e cila ka marrë krahas përmasave të uraganit në rrugët dhe sheshet e Tiranës, përmasa të papara botërore.

Është bërë lajm dhe superlajm i të gjitha agjencive, televizioneve, medieve më të mëdha të botës.