Vrau shokun, Shakaj mbajti 34-vjeçarin për 1 ditë e gjysmë në makinë, e transportoi me...

Detaje të reja zbulohen në lidhje me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi.

Sipas burimeve bëhet me dije se autori i dyshuar për zhdukjen e tij, i cili është në kërkim nga policia, Armand Shakaj, ka përdorur një karrotrec për të shmangur kontrollet rutinë të policisë dhe për të transportuar automjetin e tij, brenda të cilit dyshohet se ndodhej edhe trupi i 34-vjeçarit, deri në zonën e Ibës së Tiranës.

Këto lëvizje dyshohet se janë kryer më 6 qershor nga Shakaj. Referuar pamjeve të kamerave të sigurisë, hetuesit dyshojnë se trupi i Koçit është mbajtur brenda automjetit për rreth një ditë e gjysmë, pasi kontakti i fundit i tij me familjarët rezulton të ketë qenë më 4 qershor.

Policia ka identifikuar dhe shoqëruar për t’u marrë në pyetje pronarin e karrotrecit. Ky i fundit ka deklaruar se e kishte transportuar automjetin drejt një servisi në zonën e Ibës, pasi Shakaj i kishte thënë se makina kishte pësuar defekt.

Ndërkohë, gjatë kontrolleve në ambientin e zyrës ku dyshohet se është mbajtur Koçi, janë gjetur mbetje baruti. Grupi hetimor pritet të marrë rezultatet e ekspertizës për të përcaktuar rrethanat dhe dinamikën e ngjarjes.

Burime gjithashtu bëjnë me dije se Armand Shakaj dyshohet se ka ndryshuar gjashtë numra celulari gjatë ditëve të fundit, në përpjekje për t’iu shmangur lokalizimit nga autoritetet.