Shpopullimi/ PD kërkesë për interpelancë, Alolli: Rama të japë llogari! Shqiptarët meritojnë përgjigje
Deputetja e Partisë Demokratike, Ledina Alolli, në një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit ngriti alarmin për krizën demografike dhe shpopullimin e vendit, duke akuzuar qeverinë se nuk e ka trajtuar këtë fenomen si prioritet kombëtar.
Në një deklaratë për mediat, Alolli tha se pak ditë më parë kishte kërkuar një interpelancë me Kryeministrin Edi Rama për çështjen e shpopullimit, por sipas saj, kreu i qeverisë nuk iu përgjigj kërkesës, duke deleguar përgjegjësinë te vartësit e tij.
Sipas deputetes demokrate, qeveria është e fokusuar tek pasurimi dhe korrupsioni, ndërsa vendi po humbet çdo ditë qytetarë, veçanërisht të rinj, të cilët largohen në kërkim të një të ardhmeje më të mirë jashtë Shqipërisë.
Alolli iu referua të dhënave të institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, duke theksuar se gjatë vitit 2025 Shqipëria ka humbur rreth 33 mijë të rinj të grupmoshës 0–34 vjeç, ndërsa në dy vitet e fundit janë larguar mbi 32 mijë persona nga forca e punës. Ajo shtoi se aktualisht rreth 1.6 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit dhe se në 12 vitet e fundit vendi ka humbur rreth 95 mijë gra në moshë riprodhuese.
Deputetja e PD-së tha se raportet ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë ndër vendet më të prekura nga emigracioni dhe plakja e popullsisë, ndërsa sipas saj, Banka Botërore e vlerëson vendin me emigracionin neto më të lartë në Ballkanin Perëndimor.
Në përfundim të deklaratës, Alolli njoftoi se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar sërish kërkesën për interpelancë me Kryeministrin Rama, duke kërkuar shpjegime për krizën demografike, emigracionin masiv dhe largimin e të rinjve nga vendi.
Deklarata e plotë:
Të dashur qytetarë,
Sot jam para jush për një çështje tejet të rëndësishme, që ka të bëjë me krizën e shpopullimit, një krizë që po e shkatërron Shqipërinë, por që fatkeqësisht qeveria as nuk e ka në prioritetet e saj.
Para pak ditësh kërkova një interpelancë me Kryeministrin për këtë çështje, por ai nuk denjoi t’u përgjigjej detyrimeve kushtetuese, duke deleguar përgjegjësinë te vartësit e tij.
Partia Demokratike e kupton mjaft qartë se kjo çështje nuk është shqetësim për Kryeministrin dhe qeverinë. Shqetësimi i tyre është vetëm pasurimi dhe vjedhja sistematike, duke e kthyer Shqipërinë në plaçkë tregu për oligarkë dhe kompani fantazmë.
Shqipëria po zbrazet çdo ditë, teksa të rinjtë ikin dhe nuk kthehen më. Kjo po krijon një plagë të madhe ekonomike dhe sociale në vend.
Ky alarm kombëtar konfirmohet nga institucionet shtetërore si INSTAT dhe Eurostat, si dhe nga raportet e tjera ndërkombëtare.
Shifrat janë alarmante:
Vetëm gjatë vitit 2025 Shqipëria humbi rreth 33 mijë të rinj të moshës 0–34 vjeç.
Në vetëm dy vite kemi humbur mbi 32 mijë persona nga forca e punës.
Sot rreth 1.6 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit.
Në 12 vitet e fundit Shqipëria ka humbur rreth 95 mijë gra në moshë riprodhuese.
Sot vendi ynë ndodhet përballë me një krize të thellë demografike dhe sociale, një plage të heshtur që po godet qytetet dhe fshatrat, po dobëson ekonominë dhe po rrezikon të ardhmen e Shqipërisë si komb.
Çdo raport ndërkombëtar dhe çdo analizë për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit e rendit Shqipërinë ndër vendet më të prekura nga emigracioni dhe plakja e popullsisë. Ndërkohë, Banka Botërore e vlerëson Shqipërinë me emigracionin neto më të lartë në Ballkanin Perëndimor.
Kjo situatë nuk mund të trajtohet thjesht si statistikë në raportet zyrtare. Këto nuk janë më vetëm numra. Këto janë kambana alarmi për të ardhmen e Shqipërisë.
Ky është treguesi më dramatik i një shoqërie që po humbet ekuilibrat e saj jetikë.
Çdo ditë largohen të rinj, studentë, profesionistë, mjekë, infermierë, inxhinierë, fermerë dhe familje të reja. Ata nuk po largohen nga dëshira për aventurë. Ata po largohen sepse nuk shohin më siguri, meritokraci dhe perspektivë në vendin e tyre.
Edhe më të rëndë këtë realitet e bën papërgjegjshmëria e qeverisë dhe institucioneve shqiptare. E bën dramatike indiferenca dhe mungesa e përpjekjeve për t’i bërë ballë këtij problemi apo për të tentuar frenimin e këtij fenomeni.
Ata po largohen sepse ndihen të përjashtuar nga një sistem që nuk shpërblen dijen, punën dhe ndershmërinë.
Kjo është edhe arsyeja pse prej më shumë se 12 ditësh rrugët e Tiranës janë mbushur me mijëra protestues. Ata protestojnë sepse e kanë kuptuar qartë paradoksin e këtij realiteti.
Protestuesit e kanë kuptuar se qeveria krenohet me “suksese imagjinare”, ndërsa realiteti i qytetarëve është krejt ndryshe.
E kam thënë dhe e them me zë të lartë: shpopullimi nuk është statistikë.
Ai është hemorragjia e heshtur që po e shkatërron Shqipërinë.
Prandaj Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e ka dorezuar serish sot kërkesën për interpelancë me Kryeministrin Edi Rama.
Ai ka detyrimin dhe përgjegjësinë të japë sqarime për krizën demografike, emigracionin masiv dhe largimin alarmant të të rinjve nga Shqipëria.
Ka detyrimin t’u tregojë shqiptarëve cilat janë masat e marra.
Ka detyrimin t’u tregojë shqiptarëve se çfarë po bën qeveria për ta.
Shqiptarët meritojnë përgjigje. Sot më shumë se kurrë ata po mbushin sheshet në protestë.
Edhe pse tashmë e dinë se përgjigjja më e saktë dhe më e mirë për atë që po kalon ky popull është largimi i Edi Ramës.
Një vend që humbet brezin e ri, ka humbur vetveten.
Partia Demokratike nuk do ta lejojë këtë. As mijëra qytetarët që janë në shesh nuk do ta lejojnë këtë.
Asnjë autokrat apo i korruptuar nuk mund ta varrosë shpresën.