Intriga politike e non gratës pati fatin e tragjedisë Makbeth

Disa ngjarje politike që, në çastin kur ndodhin, duken si fitore të pakthyeshme të forcës mbi të drejtën. Ato ngjajnë me ato netët e errëta të tragjedive shekspiriane, kur mbi skenë mbretëron bindja se fati është mposhtur, se ndërgjegjja është vrarë dhe se pushteti ka gjetur më në fund formulën e përjetësisë. Por letërsia e madhe dhe filozofia e madhe kanë një mësim të madh: intrigat mund të fitojnë kohë, por nuk mund të fitojnë përjetësinë.

Heqja e sanksionit ndaj Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është thjesht një lajm politik. Për shumë njerëz ajo është mbyllja e një cikli pesëvjeçar, i mbushur me akuza, dyshime, propagandë, përçarje dhe pasoja të rënda për opozitën shqiptare. Për mua personalisht, ajo është edhe fundi i një beteje morale që e kam bërë modesisht prej pesë vitesh, jo sepse kam besuar se një individ është i pagabueshëm, por sepse kam besuar se padrejtësia nuk mund të shndërrohet në drejtësi vetëm ngaqë vishet me petkun e pushtetit.

Në këtë kuptim, historia e kësaj intrigue politike të kujton në mënyrë të pashmangshme tragjedinë e Makbethit. Jo sepse personazhet janë të njëjta, por sepse mekanizmi është i njëjtë. Në veprën e Shekspirit, Makbethi nuk bëhet tiran brenda një nate. Ai fillimisht bëhet rob i ambicies së vet. Më pas rob i frikës. Dhe në fund rob i krimeve që ka kryer për të ruajtur pushtetin. Çdo padrejtësi e re bëhet e nevojshme për të mbrojtur padrejtësinë e mëparshme. Çdo mashtrim i ri lind për të fshehur mashtrimin e djeshëm. Dhe kështu ndërtohet ai labirint i errët ku pushteti nuk sundon më mbi botën, por mbi ankthin e vet.

Për pesë vjet me radhë, politika shqiptare jetoi nën hijen e një vendimi që u paraqit si akt moral, por që nga shumë demokratë u perceptua si instrument politik. Brenda këtij perceptimi, Edi Rama u shfaq si përfituesi më i madh i kësaj historie. Nëse do ta lexonim këtë periudhë me syrin e tragjedisë shekspiriane, ai do të ishte personazhi që sheh te rivali i tij pengesën kryesore për mbijetesën e pushtetit dhe që tjerr ngjarje ta largojë atë jo nëpërmjet fitores politike, por nëpërmjet një goditjeje që vjen nga jashtë skenës.

Në tragjeditë e Shekspirit, krimi rrallë kryhet nga një dorë e vetme. Gjithmonë ka këshilltarë, frymëzues, zëra që pëshpërisin në errësirë. Ka figura që nuk mbajnë kurorën, por që ndikojnë mbi atë që e mban kurorën. Në perceptimin e shumë kundërshtarëve të qeverisë shqiptare, George Soros është parë pikërisht si kama e krimit: jo si protagonisti i dramës, por si frymëzuesi i një filozofie politike që e konsideron të lejueshme ndërhyrjen mbi ekuilibrat e brendshëm të vendeve të vogla në emër të projekteve të mëdha të hakmarrjes.

Qoftë i drejtë apo i gabuar ky perceptim, një gjë mbetet e sigurt: për vite me radhë, një pjesë e madhe e opinionit opozitar e pa këtë histori si bashkëveprimin e interesave që synonin neutralizimin politik të liderit historik të së djathtës shqiptare. Dhe sa më shumë kalonte koha, aq më shumë ky veprim dukej se prodhonte pasoja të kundërta nga ato që kishte synuar.

Sepse tragjedia e Makbethit fillon në momentin kur ai fiton. Ajo nuk fillon kur ai humbet.

Makbethi bëhet tragjik sepse arrin majën me mjete që e bëjnë majën të pabanueshme. Froni i fituar përmes intrigës nuk sjell qetësi. Ai sjell ankth. Ai sjell nevojën për të shpikur armiq të rinj. Frikën se e vërteta një ditë do të kthehet për të kërkuar hakun e saj.

Nëse e vështrojmë jetën politike shqiptare të këtyre viteve, duket sikur Edi Rama u detyrua të investojë energji të pafundme jo për të qeverisur, por për të mbajtur në fuqi një intrigë. Çdo zhvillim i ri duhej të përshtatej me të. Çdo debat duhej të rrotullohej rreth saj. Çdo kundërshtar duhej të matej me të. Dhe kështu vendimi që duhej të mbyllte një epokë, në fakt e mbajti atë të hapur.

Por historia ka durim më shumë se intrigantët. Dhe më shumë se mediat e tyre.

Heqja e këtij sanksioni duket si një nga ato momente kur historia ndërpret heshtjen e saj.

Amerika, në këtë rast, nuk u shfaq si një fuqi që këmbëngul verbërisht në vendimet e veta. Përkundrazi. Madhështia e saj u shfaq pikërisht te aftësia për të rishikuar, për të reflektuar dhe për të korrigjuar. Kjo është arsyeja pse kombet e mëdha mbeten të mëdha. Jo sepse nuk gabojnë kurrë, por sepse nuk kanë frikë të përballen me gabimet e mundshme.

Tragjeditë e mëdha politike kanë një veçori që i dallon nga konfliktet e zakonshme të ditës. Ato nuk përfundojnë në çastin kur bie një vendim apo kur ndryshon një rrethanë. Ato vazhdojnë të jetojnë në kujtesën kolektive, në plagët që lënë pas dhe në pyetjet që brezat vazhdojnë t'i bëjnë vetes shumë kohë pasi protagonistët janë larguar nga skena. Dhe pikërisht këtu fillon dimensioni më i thellë i kësaj historie.

Për vite me radhë, Shqipëria jetoi nën hijen e një ngjarjeje që nuk ishte thjesht politike. Ajo u shndërrua në një vijë ndarëse morale. Njerëzit nuk debatonin më vetëm për një individ apo për një parti. Ata debatonin për vetë kuptimin e drejtësisë. Për të drejtën e një shoqërie që të gjykojë vetë figurat e saj. Për kufirin e padukshëm midis ndikimit dhe imponimit. Për atë çast delikat kur politika ndërkombëtare pushon së qeni mbështetje dhe fillon të perceptohet si ndërhyrje.

Makbethi nuk kishte nevojë të vriste vetëm kundërshtarët e tij. Atij i duhej të vriste edhe dyshimin. Të vriste kujtesën. Të vriste mundësinë që dikush të mendonte ndryshe. Sepse pushteti absolut nuk kënaqet me bindjen formale. Ai kërkon nënshtrim të plotë. Kërkon që edhe mendimet të ecin në të njëjtin drejtim me urdhrat.

Në këtë kuptim, tragjedia e vërtetë nuk ishte ajo e viktimës së intrigës. Tragjedia e vërtetë ishte ajo e autorëve të saj. Sepse ata mbetën të burgosur brenda suksesit të tyre të përkohshëm. Çdo vit që kalonte pa realizuar objektivin përfundimtar e bënte edhe më të dukshëm boshllëkun midis pritshmërive dhe realitetit.

Kjo është arsyeja pse pushtetet e gjata bëhen të rrezikshme për vetveten. Ato humbasin aftësinë për të dëgjuar. Fillojnë të jetojnë brenda një pasqyre ku shohin vetëm reflektimin e dëshirave të tyre. Çdo kritik kthehet në armik.

Në tragjeditë e Shekspirit ekziston gjithmonë një moment i heshtur kur personazhi kupton se profecitë mbi të cilat ndërtoi jetën kanë qenë iluzione. Është çasti kur Makbethi sheh se pylli po lëviz drejt kështjellës së tij. Jo sepse natyra ka ndryshuar ligjet e saj, por sepse ai vetë kishte keqkuptuar realitetin.