Mesazhi i një proteste! Ky vend i përket popullit

Nga Irena Beqiraj/

Ne shtyhemi përditë tëbesojmë se ndryshimi domethënës mund të materializohet vetëm pasi të arrihet një konsensus gjithëpërfshirës . 
Edhe pse në ditën e 12 -të protestës akoma  diskutohet , pjesëmarrja, vazhdon të emërohet  si "luftë hibride " ,  nominohen organizatorët, madje edhe Kryeministri i ardhshëm , edhe të gjitha këto në thelb bëhën me një qëllim ; të na ushqejnë gabimisht idenë se progresi është,  një garë popullariteti. 
 Kjo bindje nuk është vetëm empirikisht e pasaktë, por dhe jashtëzakonisht e rrezikshme pasi na krijon idenë se çdo lëvizje a protestë popullore ka një përfitues të vetëm fundor , organizatorët, të cilët njëkohësisht synojnë të jenë qeveria e re e vendit . 

 Kjo që po ndodh në sheshet e Shqipërisë  nuk është thjesht një protestë; ajo është një deklaratë e fortë, dhe përfundimtare se pragu kritik është tejkaluar. Por çfarë është më kryesore protesta nuk është thjesht një shpërthim spontan dhe i pakoordinuar i zemërimit publik. Ajo është , një dëshmi e planifikimit e një vizioni të përbashkët, që ka bashkuar një mori njerëzish  të larmishëm nga çdo sferë e mundshme e jetës. Studentë të etur që dëshirojnë një të ardhme më të mirë, mësues të përkushtuar, infermierë , emigrantë , punëtorë , fermerë, besimtarë , dhe aktivistë laikë të përkushtuar, të cilët  qëndrojnë tash 12 ditë krah për krah me njëri tjetrin. Për herë të parë në shesh shqiptarët nuk janë të bashkuar nga përkatësia e ngushtë partiake apo identiteti specifik, por nga një besim themelor dhe i palëkundur se: "Ne nuk do të sundohemi. Ne nuk mund të pranojmë keqqeverisjen. Ky vend, kjo tokë i përket pa mëdyshje popullit".

 Pas çdo lëvizjeje të rëndësishme shoqërore, do të ketë gjithmonë nga ata që përpiqen të minimizojnë ndikimin e saj, të shpërfillin rëndësinë e saj. Nga ata ata që pohojnë se protesta është thjesht , një devijim i përkohshëm që së shpejti do të zbehet në errësirë , pasi populli e bën zgjedhjen e tij në kuti të votimit ; nga  ata do të pretendojnë se  mungon lidershipi fundor ose një mesazh i qartë dhe konciz. 

Ndërkohë që e vërteta është se ky është një moment   monumental, i cili ka tejkaluar  çdo lajm tjetër , që nga ato që  vijnë  nga Departamenti i Shtetit e deri tek ato që prisnim si ujin e pakët nga  SPAKU. 
Kjo protestë  nuk është kulmi, është, pa mëdyshje, gjeneza e një ndryshimi rrënjësor në kulturën politike të këtij vendi .

Ndaj puna më kritike sot është  kultivimi i vazhdueshëm i besimit se sigurimi i llogaridhënies , trasparencën , mirëqeverisjes , apo respekti ndaj pronës edhe të mirës publike , është detyra që kemi ndaj njëri tjetrit edhe fëmijëve tanë . Protesta më shumë sesa prodhimit të një grupimi  të ri politik na ka  dhënë një kuptim më të thellë dhe të qëndrueshëm  të faktit  se sistemi shtypës me të cilin përballemi nuk është, në fakt, i pamposhtur . Ai, në thelb, ka mbijetuar  nga pajtueshmëria  jonë e e heshtur edhe e vazhdueshme.

Nëse nuk e ofrojmë këtë pajtueshmëri, në mënyrë sistematike dhe strategjike,  çdo sistem , edhe çdo  autokrat që e drejton atë edhe pse në  dukje i pathyeshëm, do të lëkundet, do të përkulet dhe në fund  do të shkërmoqet. në mënyrë të pashmangshme.

Për ata që aktualisht banojnë në dhomat e praruara të pushtetit,  kjo protestë ka  një mesazh të qartë dhe të pakundërshtueshëm " Pavarësisht se kë  vendosni të na numërojë , Zeqinenë që nuk njeh numrat , apo  ekspertët e numrave që merren me sondazhet tuaja,  ne nuk jemi një element periferik, që shpërfillet ose margjinalizohet lehtë.

Ne nuk kemi frikë, sepse qartësia e qëllimit tonë ka shpërndarë hijet e frikësimit. Dhe, më e rëndësishmja, ne nuk do të largohemi. Kjo lëvizje nuk është një fenomen i përkohshëm; është një ndryshim themelor në peizazhin e vullnetit publik shqiptar ". 

ZGJOHUNI ! DËGJOJENI !