Njoftimi i parë i VAR në Botëror po bën xhiron në internet, gjyqtari Sampaio ngec me anglishten

Njoftimi i parë i VAR-it në Kupën e Botës 2026 është bërë menjëherë viral në internet, por jo vetëm për vendimin e gjyqtarit.

Momenti që ka tërhequr vëmendjen ishte komunikimi i arbitrit brazilian Wilton Sampaio pas rishikimit të një episodi për karton të kuq.

Në ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, në stadiumin “Azteca” me rreth 80 mijë tifozë, Sampaio iu drejtua lojtarëve dhe publikut për të shpjeguar vendimin e VAR-it.

Megjithatë, gjyqtari pati vështirësi gjatë komunikimit në anglisht, duke u ndalur disa herë dhe duke e bërë njoftimin e tij të vështirë për t’u kuptuar.

Pamjet e lojtarëve të Afrikës së Jugut, të cilët dukeshin të hutuar gjatë fjalëve të arbitrit, u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale.

Vendimi u bë i qartë vetëm kur Sampaio i tregoi kartonin e kuq lojtarit Zwane.

Ky ishte kartoni i dytë i kuq i mbrëmjes për Afrikën e Jugut, ndërsa më pas u përjashtua edhe një lojtar i Meksikës.

Ndeshja hapëse e Botërorit 2026 u kthye kështu në një natë rekordesh dhe momentesh të paharrueshme.