VIDEO/ Hoxha: Sanksionet Amerikane lidhen me një zinxhir politik dhe aktivitetin e McGonigal në Tiranë
Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka komentuar vendimin e Departamentit të Shtetit për heqjen e sanksioneve ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha.
Hoxha bëri edhe një historik të vendimeve të këtij lloji të ardhur nga SHBA për disa figura politike dhe publike në Shqipëri, duke i vendosur ato në një kontekst më të gjerë politik dhe institucional.
Hoxha u shpreh se, përcaktimi ‘të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara’ nënkupton në praktikë bllokim të vizës, ndërsa në rastet kur personi nuk ka aplikuar më parë, i kufizohet mundësia për të hyrë në procesin e aplikimit.
Hoxha ka ngritur pyetjen se çfarë i lidh këto raste, duke e fokusuar analizën e tij te aktiviteti i ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili sipas tij ka shërbyer si figurë kyçe në zhvillimet e viteve 2017–2018.
Sipas Hoxhës, pas këtyre vizitave dhe zhvillimeve, janë ndërmarrë vendime që kanë prekur figura të ndryshme institucionale dhe politike në Shqipëri, përfshirë edhe Prokurorin e Përgjithshëm të kohës dhe aktorë të tjerë publikë.
Ai lidh shpalljen e sanksioneve ndaj Sali Berishës me dinamikat e brendshme politike, duke pretenduar se ajo ka ndikuar drejtpërdrejt në rikonfigurimin e opozitës dhe në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, duke e çuar vendin drejt mandatit të tretë të qeverisë aktuale.
‘Pra, përcaktimi ‘janë të papërshtatshëm’ do të thotë se, nëse ke vizë, ajo të bllokohet. Dhe nëse nuk ke aplikuar, Berisha, me sa di unë, nuk kishte aplikuar asnjëherë për vizë, dhe pra atij iu mohua mundësia për të aplikuar për vizë.
Tani do të bëj një historik, prandaj e nisa nga kjo datë. Po të shikosh, Shtetet e Bashkuara filluan me deklarime publike; ata kishin ndaluar edhe më përpara viza udhëtimi për politikanë në SHBA, por nuk i kishin bërë publike siç e bënë në rastin konkret, kur doli Sekretari i Shtetit.
Në shkurt të vitit 2018, i pari ishte ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, të cilit iu mohua viza për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Vetëm dy muaj më vonë, më 17 prill 2018, u shpall i padëshirueshëm në Shtetet e Bashkuara ish-deputeti socialist Tom Doshi dhe familja e tij.
Në korrik të vitit 2019 u shpall non grata Vangjush Dako dhe familja e tij. Dhe të fundit në këtë listë publikimesh ka qenë, me sa mbaj mend, ish-deputeti Aqif Rakipi dhe botuesi i mediave Ylli Ndroqi.
Tani çfarë i lidh këta njerëz, sepse kanë një hierarki? Aktiviteti i McGonigal, si shef i zyrës së kundërzbulimit në Nju Jork për FBI-në, është kryesisht në vitet 2017–2018.
Vizitat e McGonigal dhe aktiviteti i tij i dukshëm në Shqipëri fillojnë me vizitën e parë, kur është takuar dhe ka dalë edhe në foto me kryeministrin Edi Rama, ku janë shpërndarë edhe kapele. Një nga ato kapele kam pasur edhe unë mundësinë ta kem në atë kohë.
Në shtator të vitit 2017 ai është pritur nga kryeministri Rama dhe ka marrë materiale nga Tirana për çështje që u hapën në FBI. Është rikthyer në Shqipëri në nëntor të 2017-ës. Madje në nëntor të 2017-ës, një deputet, aleat i afërt i kryeministrit Rama, ka dhënë deklarime në prani të McGonigal dhe të një prokurori federal në Vjenë.
Në shkurt ai është rikthyer përsëri, në prill më pas ka takuar edhe Ramën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe çuditërisht, menjëherë pas këtyre vizitave filluan non-gratat në Shqipëri.
U godit Prokurori i Përgjithshëm dhe më pas të tjerë me radhë. Një nga dosjet që u hap në atë kohë në Shtetet e Bashkuara lidhej edhe me zgjedhjet.
Kjo non grata e Berishës, sipas kësaj analize, i dha mandatin e tretë Ramës, sepse shpartalloi opozitën. Non grata u deklarua pas zgjedhjeve të vitit 2021, por opozita u përça për katër vite, me konflikte për vulën dhe me probleme të brendshme, dhe kjo çoi në mandatin e tretë.
Tani, pse McGonigal u kthye një njeri kaq i rëndësishëm për Tiranën? Për shkak të pozicionit që ai kishte. Vetë fakti i hetimeve të kryera në SHBA tregon se ai ka marrë 225 mijë dollarë kesh në një garazh nga një shtetas shqiptaro-amerikan.
Këto lidhen me dosjen e parë që ai hapi kundër liderit të opozitës, i cili në atë kohë ishte Lulzim Basha. Ai u akuzua për lidhje me rusë, skocezë dhe kinezë dhe u godit politikisht nga të gjitha anët, duke hyrë në zgjedhjet e 2021-shit.
Rezultati ishte shumë i ngushtë dhe, sipas kësaj narrative, opozita ishte shumë afër fitores, por u ndikua nga grupe kriminale në disa zona, ku u luftua për mandate deputetësh dhe u përmbys rezultati’, u shpreh gazetari Artan Hoxha në SYRI TV.