Kur bën sens vetëm si ‘nonsens’!
Nga Gent Strazimiri/
Në 2021 bënte sens që duke analizuar situatën, një analisti, opinionisti, politologu domethënë një gjithologu, t'i rezultonte që Sali Berisha duhej të largohej nga politika në të mirë të Partisë Demokratike, sepse në fakt
ishte "i sanksionuar" nga SHBA,
ishte i izoluar nga ndërkombëtarët,
kishte drejtuesin e partisë së vet si bashkëpunëtor në atentatin politik ndaj tij,
ishte pa asnjë mundësi reale për të mobilizuar njerëz në mbështetje të një lëvizjeje,
ishte pa asnjë shans as teorik të mbijetonte e jo më të fitonte secilën nga këto sfida...
- Bënte sens, në maj 2021 nën shock-un e përgjithshëm që shkaktoi sanksionimi nga Blinken...
- Bënte sens, në shtator 2021 kur Basha e përjashtoi nga Partia.
- Bënte sens, kur Yuri Kim dilte dhe kërcënonte haptazi cilindo që shprehte thjesht simpati ndaj Berishës, e jo më mbështetje...
- Bënte sens, në maj 2023 kur zgjedhjet lokale patën rezultat të varfër...
- Bënte sens, në dhjetor 2023 kur e arrestuan arbitrarisht, pa akuzë...
- Bënte sens, 333 ditë rrjesht gjatë 2024 kur e vetmja dritare komunikimi ishte dritarja e shtëpisë së tij..
- Bënte sens, madje edhe në maj 2025 kur nuk e mundi dot në zgjedhje atë që OSBE/ODIHR e quan zyrtarisht "parti-shtet"...
Bënte sens gjithësesi, pavarësisht se raportet ndërkombëtare betejat zgjedhore të Berishës dhe PD me regjimin, i konsideronin të pabarabarta, të pamundura për fitore për shkak të përfshirjes së krimit, shtetit dhe administratës në krah të qeverisë....
Bënte sens, pavarësisht se 600 mijë shqiptarë e votonin me kokëfortësi në disa zgjedhje rrjesht, sepse gjithësesi bënte sens të thoje se ishte "punë militantësh të ndërkryer që një ditë do kthjellohen e do dorëzohen"...
Bënte sens, sepse me llogari politike, me laps e letër racionaliteti, gjithçka tokësore, materiale, të prekshme Sali Berisha e kishte kundër, përveç Zotit në qiell, të cilin askush s'e ka parë me sy e as e ka takuar deri më sot...
Sot, pas 11 qershorit 2026, diku nga ora ora 10 paradite kur të gjithë kundërshtarët e tij janë asgjësuar si më poshtë
"sanksionuesi" Blinken është vetë i sanksionuar nga qeveria amerikane aq sa i ndalohet hyrja në objektet qeveritare në SHBA...
Yuri Kim, Donald Lu, Escobar enden rrugëve në Washington D.C. pak a shumë si Lulzim Basha...
Edi Rama dhe banda e tij është nën presionin më të madh të mundshëm duke nisur që nga Sorosi me gjithë levat e tij, për të vazhduar tek drejtësia, diplomacia, gazetaria ndërkombëtare, politika e brendëshme dhe e jashtme e për më tepër me protestues që shtohen çdo ditë në rrugë...
A bën sens t'i thuash Sali Berishës: tani dil nga politika?
Për më tepër, ditën
kur SHBA njeh gabimin dhe bën atë që konsiderohej e paimagjinueshme:
kur tërheq sanksionimin ndaj Sali Berishës me firmën e Sekretarit të Shtetit, në një akt ndjese me motivacionin "për interesin e lartë kombëtar të SHBA" ...
kur kjo i transmetohet direkt, me porosi, me telefon personalisht Sali Berishës nga kreu i ambasadës amerikane në Tiranë...
...a bën sens të të rezultojë sërish në "analizë" që Sali Berisha, prapë duhet të largohet ... madje sa më shpejt se mos "i ftohet" momentumi?
Kjo bën sens vetëm si NONSENS...
KAQ!