Papa Leone XIV shpallet anëtar nderi i Realit të Madridit

Real Madridi ka vendosur t’i akordojë Papa Leone XIV titullin e anëtarit të nderit, vlerësimi më i lartë që klubi madrilen u jep personaliteteve të shquara.

Vendimi u mor nga Bordi Drejtues i klubit dhe u bë publik përmes një komunikate zyrtare. Reali theksoi se me këtë nderim dëshiron të shprehë admirimin dhe vlerësimin e tij për një figurë universale, e cila përfaqëson miliarda njerëz dhe promovon vlera si paqja, solidariteti dhe drejtësia në mbarë botën.

Në deklaratën e klubit u përmend edhe vizita e Papës në stadiumin ‘Santiago Bernabéu’ më 8 qershor 2026, e cilësuar si një moment historik dhe tepër emocionues për institucionin madrilen.

“Vizita e tij në ‘Santiago Bernabéu’ ishte një nder për Realin e Madridit dhe do të mbetet përgjithmonë një nga imazhet më emocionuese në historinë tonë”, thuhet në komunikatë.

Gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin spanjoll, Papa Leone XIV bëri edhe një koment që tërhoqi vëmendjen e tifozëve. “Papa bën tifo për të gjitha skuadrat, por Prevost bën tifo për Realin e Madridit”, u shpreh ai me humor, duke lënë të kuptohet simpatinë e tij për klubin madrilen.

Me këtë vendim, Papa Leone XIV hyn në listën e personaliteteve të shquara që kanë marrë nderimin më të lartë nga Reali, një klub që vazhdon të lidhë emrin e tij jo vetëm me sukseset sportive, por edhe me figura me ndikim global.