Maroku humbet dy ‘yje’ para debutimit në Botëror, Ezzalzouli dhe Aguerd jashtë turneut
Një goditje e rëndë për Marokun vetëm dy ditë para ndeshjes së parë në Botërorin 2026. Dy lojtarë të rëndësishëm të “Luanëve të Atlasit”, Abde Ezzalzouli dhe Nayef Aguerd, janë përjashtuar nga lista e skuadrës për shkak të dëmtimeve.
FIFA ka përditësuar listën e 26 lojtarëve të dorëzuar nga Federata Mbretërore Marokene e Futbollit, duke konfirmuar zëvendësimin e tyre me Amine Sbaï dhe Marwane Saadane.
Ezzalzouli, i cili aktivizohet me Real Betisin, pësoi një dëmtim në gjurin e djathtë gjatë pjesës së parë të ndeshjes miqësore ndaj Norvegjisë, e mbyllur në barazim 1-1. Ndërkohë, mbrojtësi i Olympique de Marseille, Aguerd, nuk ka luajtur që nga marsi, pasi iu nënshtrua një operacioni për shkak të pubalgjisë.
Mungesa e dy futbollistëve konsiderohet një problem serioz për trajnerin e ri të Marokut, Mohamed Ouahbi, sidomos ajo e 24-vjeçarit Ezzalzouli, i cili ka zhvilluar një sezon shumë të mirë me Betisin dhe pritej të ishte një nga armët kryesore të ekipit në turne.
Maroku do të nisë aventurën e tij në Kupën e Botës 2026 me një përballje shumë të vështirë ndaj Brazilit, ndërsa stafi teknik shpreson që zëvendësuesit të arrijnë të mbushin boshllëkun e lënë nga dy mungesat e rëndësishme.