Në prag të nisjes së Botërorit, shefi i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së mbështet refuzimin e vizave

Sekretari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Markwayne Mullin, të enjten mbrojti mënyrën se si administrata Trump po i trajton vendimet për viza dhe hyrje në vend, ndërsa Kupa e Botës fillon këtë javë.

Çështja ka tërhequr vëmendje pasi raportimet thanë se të paktën një gjyqtari nga Somalia dhe një anëtari të stafit të ekipit irakian iu refuzua hyrja në aeroportet amerikane ditët e fundit. Raportimet mediatike kanë përmendur gjithashtu raste që përfshijnë dhjetëra tifozë të cilëve nuk iu lejua hyrja në vend.

I pyetur nëse politikat e imigracionit po hedhin hije mbi turneun, Mullin tha se konsideratat e sigurisë kombëtare do të mbeten prioriteti kryesor i administratës.

“Ne nuk do të lejojmë që njerëz me precedentë penalë ose që mund të kenë lidhje kriminale të hyjnë në këtë vend. Nuk ka rëndësi se cila është situata juaj. Nuk do të hyj në arsyet pse ia kemi mohuar hyrjen këtij individi, por ka një arsye pse këtij personi iu refuzua”, u tha Mullin gazetarëve.

Mullin hodhi poshtë pretendimet se vendimet pasqyrojnë paragjykime ndaj kombësive të caktuara, përfshirë somalezët.

Pavarësisht se nuk mundi të gjykonte në Kupën e Botës pasi iu refuzua hyrja në SHBA, gjyqtari somalez Omar Abdulkadir Artan është përzgjedhur të drejtojë ndeshjen e muajit të ardhshëm për Superkupën e UEFA-s mes Paris Saint-Germain dhe Aston Villa.

“Tani, mediat e majta duan të dalin dhe të raportojnë duke thënë se ky person është viktimë sepse ne jemi kundër Somalisë. Jo, nuk jemi”, tha Mullin.

Një proklamatë e lëshuar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, më 4 qershor 2025, kufizon hyrjen e shtetasve somalezë në vend.

Sekretari tha se zyrtarët amerikanë kanë mbajtur komunikim të rregullt me FIFA-n lidhur me vendimet e hyrjes në lidhje me turneun.

“Ne punojmë ngushtë me FIFA-n dhe administratën në mënyrë të rregullt. Kemi folur vazhdimisht me FIFA-n dhe drejtuesit e saj. Për këdo që iu refuzua hyrja, ne kemi paraqitur arsyet dhe u kemi treguar pse iu refuzua”, shtoi Mullin.

Kufizimi nga administrata Trump ka shkaktuar reagime ndërkombëtare, ndërsa disa tifozë futbolli kanë bërë thirrje për bojkot të Kupës së Botës./ AA.