Guterres thirrje SHBA - Iran: Intensifikoni përpjekjet për marrëveshje

 

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka shprehur shqetësim të thellë për përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme.

“Sekretari i Përgjithshëm është thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimin e vazhdueshëm në Lindjen e Mesme, përfshirë sulmet e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit dhe sulmet e Iranit ndaj vendeve fqinje në Gjirin Persik dhe më gjerë, të cilat nuk janë palë në konflikt, si dhe rritjen e ndjeshme të retorikës armiqësore”, tha zëdhënësi i Guterresit, Stephane Dujarric, në një deklaratë.

Dujarric u bëri thirrje të gjitha palëve që të rikthehen në zbatimin e plotë të armëpushimit, duke paralajmëruar se përkeqësimi i situatës “mund të çojë në rifillimin e plotë të konfliktit, me pasoja të paparashikueshme për rajonin dhe botën, veçanërisht për vendet më të cenueshme”.

Në deklaratë u theksua se të drejtat dhe liritë e lundrimit, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duhet të respektohen dhe u bë thirrje të gjitha palëve të përmbushin detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar, përfshirë marrjen e të gjitha masave të mundshme për mbrojtjen e civilëve.

Guterres i inkurajoi Washingtonin dhe Teheranin që të “dyfishojnë përpjekjet e tyre drejt një marrëveshjeje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, e cila avancon paqen dhe sigurinë rajonale e ndërkombëtare”.

“E vetmja rrugë përpara është përmes dialogut të vërtetë dhe negociatave”, thuhet në deklaratë./ AA.