Protestat masive/ Blushi: Liria u përket atyre që luftojnë për të, nga lufta largohet vetëm ai që lind tradhtar
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi nga Kuvendi i Shqipërisë u shpreh se prej 12 ditësh rrugët dhe sheshet e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë po gjëmojnë nga revolta e popullit.
Gjatë fjalës së tij nga foltorja, Blushi tha se protestat janë zëri i shumicës dhe zëri i Shqipërisë së vërtetë.
Sipas tij, liria u përket atyre që luftojnë për të, ndërsa shtoi se nga lufta largohet vetëm ai që ka lindur tradhtar
Fjala e plotë:
Prej 12 ditësh rrugët dhe sheshet e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë po gjëmojnë nga revolta e popullit.
Kjo është rrahja e zemrës së një kombi që nuk pranon më padrejtësinë, korrupsionin, krimin, arrogancën, dhunën, gënjeshtrën, dhe përbuzjen si normalitet.
Ky është zëri i shumicës, zëri i Shqipërisë së vërtetë!
Përgjegjësia ka një emër: Edi Rama.
Ai ka mbajtur timonin dhe tepsinë për 13 vite. Ai ka pasur në dorë parlamentin, pushtetin vendor, administratën, drejtësinë.
Ai ka përdorur fuqinë e shtetit për të goditur të dobëtit dhe për të amnistuar të fortët.
Ai e shndërroi shtetin në pronë private dhe Shqipërinë në plaçkë për veten dhe oligarkët pranë tij.
Shpopullimi nuk erdhi nga opozita.
Mjerimi nuk erdhi nga opozita.
Narkoshteti nuk u ngrit nga opozita.
Korrupsioni dhe aferat mafioze nuk u prodhuan nga opozita.
Ligjin për shkatërrimin e familjes, zëvendësimit të Nënës dhe Babait me “Prindi 1” dhe “Prindi 2” dhe Shqipërinë me 72 gjini nuk e miratoi opozitar.
Të gjitha janë produkt i një superpushteti që Edi Rama përqendroi në dorën e tij për të rrjepur, dhunuar dhe përbuzur shqiptarët.
Ndaj largimi i Edi Ramës është më shumë se kurrë jetik dhe interesi më i lartë kombëtar.
Çdo ditë kur shumica e shqiptarëve numëronte kafshatën e gojës, Edi Rama shtronte bankete me hartën e Shqipërisë, për të gllabëruar miniera, pyje, puse nafte, male e bregdet me oligarkët e tij.
Ky është modeli mafioz i qeverisjes që opozita ka paralajmëruar dhe denoncuar prej vitesh dhe që sot është realitet.
Laguna e Zvërnecit është shndërruar në oqean revolte popullore.
Ky është shpërthimi i një populli të vjedhur, të lënduar, të përbuzur, të refuzuar.
Por pyetja nuk është çfarë do të bëjnë protestuesit. Pyetja është çfarë do të bëjë Partia Socialiste? Do të vazhdojë të mbrojë një narkoregjim autokrat, apo do të gjejë forcën për t’u shkëputur nga Edi Rama, largimi i të cilit nga pushteti është më shumë se kurrë interes kombëtar.
Shqipëria nuk i përket një partie.
Shqipëria nuk i përket një njeriu.
Shqipëria u përket shqiptarëve!
Dhe sot zëri i tyre po dëgjohet më fort se kurrë.
Liria u përket atyre që luftojnë për të dhe nga kjo luftë largohet vetëm ai që ka lindur tradhtar.