Banka Botërore: Konflikti në Lindjen e Mesme do ta ngadalësojë rritjen globale në nivelin më të ulët pas COVID-it

Konflikti në Lindjen e Mesme pritet të ngadalësojë rritjen globale deri në nivelin më të ulët që nga fillimi i pandemisë COVID-19, tha të enjten Grupi i Bankës Botërore.

Në raportin e tij të fundit “Global Economic Prospects”, banka parashikoi që rritja globale të ngadalësohet në 2,5 për qind në vitin 2026, nga 2,9 për qind në 2025, si pasojë e çmimeve më të larta të energjisë, inflacionit më të lartë dhe kostove më të mëdha të huamarrjes.

Banka tha se parashikimet për dy të tretat e ekonomive janë ulur krahasuar me janarin. Rritja globale pritet të përmirësohet në 2,8 për qind në vitin 2027, por të mbetet 0,4 pikë përqindjeje nën mesataren e viteve 2010.

Sipas raportit, mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka shkaktuar ndërprerje serioze në tregjet e energjisë, me çmimet e naftës Brent që parashikohet të arrijnë mesatarisht 94 dollarë për fuçi në 2026, 36 për qind më shumë se në 2025, duke supozuar se ndërprerjet më të rënda do të zbuten në korrik.

Çmimet e plehrave kimike gjithashtu pritet të rriten ndjeshëm këtë vit, me pasoja në çmimet e ushqimeve. Këto presione pritet të rrisin inflacionin global në 4,0 për qind në 2026, nga 3,3 për qind në vitin 2025.

Banka Botërore paralajmëroi se rreziqet negative mbeten të mëdha. Nëse ndërprerjet e furnizimit me energji përkeqësohen dhe shoqërohen me stres të madh financiar, rritja globale mund të bjerë në 1,3 për qind në vitin 2026, ndërsa inflacioni mund të rritet në 4,4 për qind.

Rritja në ekonomitë në zhvillim pritet të bjerë në nivelin më të ulët pas pandemisë, në 3,6 për qind në vitin 2026 nga 4,4 për qind në vitin 2025, para se të rikuperohet në 4,2 për qind në 2027.

Ekonomitë në Gjirin Persik, të prekura drejtpërdrejt nga konflikti, pritet të pësojnë ngadalësimin më të madh, me rritjen që do të bie nga 3,9 për qind në vitin 2025 në afër zero në vitin 2026. Rritja në këto ekonomi pritet të rikuperohet në rreth 5 për qind në periudhën 2027–2028, ndërsa tregtia dhe shpenzimet për rindërtim rifillojnë.

- Banka Botërore gati të rrisë mbështetjen

Grupi i Bankës Botërore tha se po vë menjëherë në dispozicion deri në 50–60 miliardë dollarë përmes instrumenteve ekzistuese në përgjigje të konfliktit, përfshirë 25 miliardë dollarë financim të paracaktuar.

Kjo mbështetje mund të përdoret për rrjete të sigurisë sociale, kapacitet fiskal, kapital qarkullues dhe mbështetje likuiditeti për firmat dhe fermat, tha banka.

Ajo shtoi se më shumë se 30 vende po bashkëpunojnë aktivisht me Grupin e Bankës Botërore për të përmirësuar gatishmërinë dhe për të mundësuar një reagim të shpejtë ndaj krizës. Nëse konflikti dhe pasojat e tij ekonomike vazhdojnë, banka tha se mund ta rrisë mbështetjen në 80–100 miliardë dollarë brenda 15 muajve.

Sipas rajoneve, Azia Jugore pritet të ketë rritjen më të fortë në 2026, megjithëse kjo rritje parashikohet të ngadalësohet në 6,3 për qind nga 7,0 për qind në 2025.

Rritja në Afrikën Subsahariane pritet të bjerë lehtë në 4,0 për qind në vitin 2026 para se të rritet në 4,4 për qind në 2027, me presione kryesisht nga inflacioni dhe çmimet e larta të ushqimeve të lidhura me mungesën e plehrave kimike.

Rritja në Azinë Lindore dhe Paqësor pritet të bjerë në 4,2 për qind në 2026 para se të rritet në 4,4 për qind në 2027. Evropa dhe Azia Qendrore parashikohen të ngadalësohen në 2,1 për qind në 2026 dhe të rriten lehtë në 2,3 për qind në 2027.

Amerika Latine dhe Karaibet pritet të rriten me 2,2 për qind në 2026 dhe 2,5 për qind në 2027, ndërsa rajoni i Lindjes së Mesme, Afrikës së Veriut, Afganistanit dhe Pakistanit parashikohet të ngadalësohet në 1,6 për qind në 2026 para se të rikuperohet në 5,0 për qind në 2027.

Raporti gjithashtu paralajmëroi se nivelet në rritje të borxhit po e bëjnë më të vështirë për ekonomitë në zhvillim të reagojnë ndaj krizave dhe të investojnë në prioritetet afatgjata të zhvillimit.

Që nga viti 2010, borxhi i përgjithshëm qeveritar në ekonomitë në zhvillim është rritur nga nën 40 për qind e PBB-së në mbi 70 për qind, tha banka./ AA.