Problemet me vizat lënë Bregun e Fildishtë pa tifozë në Botërorin 2026

Bregu i Fildishtë do të përballet me një situatë të pazakontë në Kupën e Botës 2026, pasi kombëtarja afrikane nuk do të ketë mbështetjen e tifozëve të saj në stadiume. Problemet me vizat dhe kufizimet e hyrjes në Shtetet e Bashkuara kanë bërë që shumë prej përkrahësve të “Elefantëve” të mos mund të udhëtojnë.

Julien Kouadio Adonis, president i Komitetit Kombëtar të Tifozëve të Elefantëve (CNSE), ka shprehur zhgënjimin e tij për këtë situatë. Sipas tij, tifozët kanë hequr dorë nga udhëtimi pasi nuk kanë marrë mundësinë për të hyrë në territorin amerikan.

“Na është bërë e qartë se tifozët tanë nuk janë të mirëpritur. Kjo është shumë e dhimbshme, sepse na pengon të përmbushim detyrën tonë kryesore: të mbështesim ekipin tonë. Do të kishim dashur të tregonim kulturën tonë edhe në tribuna”, deklaroi ai.

CNSE, organizatë e mbikëqyrur nga Ministria e Sportit, kishte planifikuar të dërgonte një grup prej rreth 500 tifozësh në Shtetet e Bashkuara. Për pjesëmarrjet e mëparshme në Kupën e Botës, në vitet 2006, 2010 dhe 2014, si dhe për Kupën e Afrikës, kjo organizatë kishte siguruar gjithmonë praninë e përfaqësuesve të tifozëve.

Megjithatë, në Botërorin 2026 situata do të jetë ndryshe. Në SHBA do të udhëtojnë vetëm disa zyrtarë të autorizuar, të cilët do të kenë detyrën të përfaqësojnë dhe të mbështesin tifozët e Bregut të Fildishtë që jetojnë atje.

Mungesa e tifozëve do të jetë një goditje emocionale për kombëtaren afrikane, e cila ka fituar gjithmonë energji të madhe nga mbështetja e publikut të saj në turnetë ndërkombëtare.