Kosto të larta transporti në SHBA, lojtarët e Gjermanisë paguajnë udhëtimin e tifozëve
Për të përballuar kostot e larta të transportit në SHBA, lojtarët e Gjermanisë kanë menduar t’ua lehtësojnë shpenzimet tifozëve të tyre.
Iniciativa, e njoftuar edhe nga federata gjermane, lindi për të mbështetur tifozët në situatën kur kostot e tyre në Botëror janë rritur.
Skuadra vendosi të paguajë udhëtimin me autobus për 600 tifozë gjermanë për ndeshjen kundër Ekuadorit, e fundit në Grupin E. Ndeshja është programuar më 25 qershor, në “MetLife Stadium”, në New Jersey, ku shkohet kryesisht nga New York.
Gjatë muajve të fundit, sipas “BBC”, çmimet e transportit për ndeshjet e Botërorit kanë qenë në qendër të kritikave të atyre që kanë vendosur të mbështesin kombëtaret nga afër.
Prandaj Joshua Kimmich me shokë kanë vendosur të ndihmojnë tifozët financiarisht.
“Duke parë kostot e larta të udhëtimeve me autobus dhe tren në New York gjatë Botërorit, lojtarët e kombëtares gjermane kanë organizuar transportin falas për 600 tifozë për ndeshjen e fundit të fazës së grupeve”, – ka deklaruar federata gjermane.
Biletat e trenit nga Manhattan në zonë e stadiumit, që zakonisht kushtojnë 12.90 dollarë, kanë shkuar në 150 dollarë.
Pas polemikave çmimi është ulur në 98 dollarë, por gjithsesi mbetet i lartë.