Mijëra të rinj pritet të mblidhen sërish te Kryeministria për të 12-ën ditë radhazi: Rama jepe dorëheqjen

Protesta e 12 qytetareve do të zhvillohet edhe sot përballë Kryeministrisë në Tiranë në orën 18:00, ku pjesëmarrëset pritet të përsërisin kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Tubimi vjen në vazhdën e protestave të organizuara prej tyre gjatë ditëve të fundit, pas dhunës së ushtruar ndaj protestuesve në Zvërnec, me qëllim shprehjen e pakënaqësive ndaj qeverisjes korruptive të qeverisë së Edi Ramës.

Sipas organizatoreve, protesta synon të tërheqë vëmendjen e institucioneve dhe opinionit publik mbi kërkesat e tyre, ndërsa ato kanë bërë të ditur se do të vijojnë mobilizimin deri në arritjen e objektivave që kanë shpallur publikisht që përkojnë me 5 pikat e bëra publike.

Tubimi pritet të zhvillohet në mënyrë paqësore para godinës së qeverisë, ndërsa pjesëmarrëset kanë ftuar qytetarët që ndajnë të njëjtat shqetësime t'u bashkohen në këtë nismë qytetare.