'Rama jeepeee dorëheqjeeen'/ Thirrjet e protestës pushtojnë Kuvendin

Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë u shoqërua me tensione dhe ndërprerje, pasi deputetët e Partisë Demokratike sollën në sallë thirrjet që janë dëgjuar ditët e fundit në protestat qytetare.

Teksa ish-ministri dhe deputeti socialist Ulsi Manja po mbante fjalën nga foltorja, në sallë u dëgjuan në mënyrë të vazhdueshme thirrjet “Rama jeepeee dorëheqjeeen”, duke e vështirësuar zhvillimin normal të seancës.

Mes zhurmës dhe protestës së opozitës, Manja u pa duke reaguar me gjeste të përsëritura me duar, në përpjekje për të vijuar fjalimin e tij, si një rol i ngjashëm me atë të një “dirigjenti” përballë kaosit në sallë.

Atmosfera e ndezur politike pasqyroi edhe një herë përplasjet e forta mes mazhorancës dhe opozitës, në një seancë ku debatet u zhvendosën nga foltorja drejt thirrjeve dhe akuzave politike.