Botërori 2026 hap një epokë të re të futbollit

Kupa e Botës 2026 do të shënojë një kthesë historike në futbollin botëror.

Edicioni i 23-të i turneut do të jetë më i madhi i organizuar ndonjëherë nga FIFA, me një format të ri, më shumë skuadra dhe një shtrirje të jashtëzakonshme në Amerikën e Veriut.

Për herë të parë, Botërori do të zhvillohet me 48 ekipe pjesëmarrëse, duke rritur ndjeshëm numrin e ndeshjeve dhe duke u dhënë më shumë kombëtareve mundësinë për të shkruar historinë.

Gjithashtu, ky do të jetë edicioni i parë që organizohet nga tri vende: Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika.

Turneu do të nisë në stadiumin legjendar “Estadio Azteca” në Meksiko Siti, ku Meksika do të përballet me Afrikën e Jugut në ndeshjen hapëse.

Finalja e madhe do të zhvillohet më 19 korrik në “MetLife Stadium” në Nju Xhersi.

Formati i ri do të sjellë 12 grupe me nga katër skuadra, ndërsa 32 ekipe do të kualifikohen në fazën me eliminim direkt.

Kjo do të rrisë edhe më shumë emocionet, pasi edhe skuadrat që nuk e nisin mirë turneun do të kenë mundësi të vazhdojnë garën.

Në aspektin sportiv, favoritët mbeten emrat e mëdhenj të futbollit botëror.

Franca, Spanja, Anglia, Argjentina dhe Brazili pritet të jenë ndër kandidatët kryesorë për trofeun, ndërsa Portugalia, Gjermania dhe Holanda kërkojnë të rikthehen në majë.

Botërori 2026 do të jetë gjithashtu një përballje mes brezave. Legjendat si Lionel Messi, Kristiano Ronaldo dhe Luka Modriç mund të luajnë turneun e tyre të fundit, ndërsa yje si Kilian Mbape, Erling Haland, Vinícius dhe Lamine Jamal synojnë të marrin skenën botërore.

Me formatin e ri, stadiumet gjigante dhe një përzierje mes eksperiencës dhe talenteve të reja, Kupa e Botës 2026 premton të jetë një spektakël pa precedent dhe një kapitull i ri në historinë e futbollit.