Hoti: Rinia do ta rrëzojë qeverinë, do e largojë PS-në nga pushteti
Elda Hoti, deputetja e Partisë Demokratike, në seancën plenare u shpreh se “është Sali Berisha ai, o budallenj”, duke iu referuar deklarimeve të bëra më herët në sallë. Më pas theksoi se Berisha është një figurë politike që ka luftuar dhe nuk është dorëzuar për të vërtetën e tij dhe është rikthyer më krenar se kurrë.
Ajo shtoi se e vërteta e Berishës ka triumfuar përballë akuzave dhe shpifjeve të kundërshtarëve politikë.
Deputetja u ndal më tej te protestat e të rinjve, duke deklaruar se rinia shqiptare nuk do të heshtë më përballë qeverisë dhe sistemit aktual.
E pajisur me pankartën “Kur rinia çohet, qeveria rrëzohet”, Hoti u shpreh se emigrimi masiv dhe shpopullimi janë pasojë e një qeverisjeje që, sipas saj, u ka vjedhur të rinjve shpresën dhe të ardhmen. Ajo kërkoi ndryshim politik dhe theksoi se ky ndryshim fillon me largimin e Partisë Socialiste nga pushteti.
Pjesë nga deklarata:
Është Sali Berisha ai o budallanj... Nuk dëgjoni zë të Sali Berishës. Ai luftoi dhe nuk u dorëzua për të vërtetën e tij dhe sot u rikthye më krenar se kurrë, sepse e vërteta e Sali Berishës triumfoi kundrejt gjithë shpifjeve të të gjithëve ju së bashku.
Sot zgjodha të vij me këtë pankartë në Kuvend: “Kur rinia çohet, qeveria rrëzohet”, sepse kjo pankartë është zëri i një brezi të cilit ju i keni vjedhur gjithçka. I keni vjedhur shpresën, i keni vjedhur ëndrrat, i keni vjedhur të ardhmen.
Sot kjo pankartë është zëri i një brezi të cilët janë atje në protestë, duke protestuar sepse ju e keni detyruar të zgjedhin midis mbijetesës dhe emigrimit. Vetëm në një vit janë larguar mbi 33 mijë të rinj nga Shqipëria, dhe nuk janë larguar sepse nuk e duan vendin e tyre. Janë larguar nga një qeveri e cila është e babëzitur për të vjedhur dhe vlon nga korrupsioni dhe nuk ka vend për të rinjtë e saj.
Po protestojnë sepse janë lodhur nga kjo qeveri dhe kërkojnë dorëheqjen tuaj. Dhe ju, në vend që të ulni kokën dhe të ndërgjegjësoheni e t’i dëgjoni ata të rinj, ju vazhdoni t’i ironizoni.
Por një gjë ta ketë të qartë Edi Rama: betejën me këtë brez e ka të humbur, sepse ky është një brez i cili nuk hesht. Është një brez i cili do t’ju marrë përpara. Është një brez i cili ka dalë aty dhe nuk pyet për ironitë as për propagandën tuaj, por po ju bën meme që duhet të turpëroheni secili prej jush.
Ky është brezi i cili është zgjuar dhe do t’ju rrëzojë. Faleminderit.