USA, ky komb e shtet madhështor që vetëkorrigjohet

Nga Artan Hoxha

Lajmi që qarkullonte prej ditësh se Sali Berishës i ishte abroguar statusi “non grata” nga Departamenti i Shtetit, nga vetë Sekretari Marco Rubio, u zyrtarizua sot nga vetë e ngarkuara me punë në Tiranë, Nancy Van Horne, përmes një bisede direkte telefonike të sajen me Sali Berishën. Ai akt ekstrem për nga rëndesa, i njëanshëm politikisht, i padrejtë moralisht dhe i dëmshëm për Shqipërinë dhe për vetë USA-në, u korrigjua nga vetë USA pas plot pesë vitesh.

Pesë vite më parë, nga ai vendim i Sekretarit Blinken u ndjeva i fyer në inteligjencë dhe i cenuar në moral dhe reagova menjëherë me shkrimin “Kur ia fut kot edhe Amerika”, ku, pasi analizoja tiparet e mësipërme të atij vendimi dhe efektet negative të pritshme, konkludoja se duhet të bënim durim për dy arsye: së pari, se nuk kemi të mirë më të madhe se vetë ekzistenca e USA-së, përfshirë gabimet e saj, e së dyti, se USA, herët a vonë, i korrigjon gabimet e veta. Kështu besova unë, kështu besoi Sali Berisha, kështu besuan shumë e shumë demokratë e shqiptarë të tjerë të mirë.

E kështu ndodhi.

Kundërshtarët e Sali Berishës e të PD-së, si rregull ata armiqësorët e jo vetëm, insistuan ato kohë që Sali Berisha duhej të tërhiqej se nuk do të fitonte asgjë nëse do të përballej me superfuqinë, e cila paskërka të drejtë edhe kur gabon; përkundrazi, ai do ta pësonte edhe më rëndë. Në fakt, ashtu ndodhi. Sali Berisha u përjashtua nga grupi parlamentar, u pengua të rifitonte partinë, iu mohuan të drejtat ligjore partiake edhe pse iu konfirmua shumica dërrmuese në PD, u nxit hetimi inkuizitor kundër tij nga SPAK, u arrestua e u mbajt i izoluar në shtëpi për 333 ditë. Sali Berisha as nuk hoqi dorë nga e vërteta e vet, as nuk humbi besimin tek USA dhe tek aftësia vetëkorrigjuese e tyre.

Të njëjtët kundërshtarë insistuan se demokratët duhej ta braktisnin Sali Berishën e të ndiqnin Luli Bashën, përndryshe do të hanin bar. Demokratët, në shumicë dërrmuese, iu përgjigjën thirrjes së Sali Berishës, e rizgjodhën për lider dhe e ndoqën në beteja thuajse të pamundura e plot sakrifica, pa humbur as dashurinë dhe as besimin tek USA.

Katër vitet 2021-2024 kanë qenë vitet më të vështira në historinë e PD-së dhe të demokracisë shqiptare. Tashmë është fare e qartë se në 20 vitet e fundit ka patur një plan ndërkombëtar neo-liberal për ta sjellë Edi Ramën në pushtet e për ta mbajtur me çdo kusht në pushtet, plan i bazuar në tre shtylla: i) tolerim i bashkëpunimit dhe përdorimit të krimit të drogës; ii) tolerim i keqpërdorimit të shtetit për pushtetin derisa u zhduk kufiri mes shtetit dhe partisë; iii) goditja e opozitës, ose vasalizimi ose asgjësimi i opozitës reale, PD-së në veçanti. Komponenti i tretë u zbatua veçanërisht në vitet e fundit; për rrjedhojë, çfarë ishte dëmtuar rëndë në vitet 2021-2024 nuk mund të riparohej në 4 muajt e parë të vitit 2025 të administratës Trump, ndaj dhe ndodhi fitorja me 83+3 parlamentarë i Edi Ramës në zgjedhjet farsë 2025.

USA u vetëkorrigjua. Vetëkorrigjimi është tipar thelbësor i kombeve e shteteve madhështore. Edhe shqiptarët po vetëkorrigjohen. Me mijëra po protestojnë në bulevard kundër Edi Ramës dhe regjimit të tij anti-demokratik. Ata përfaqësojnë qindra mijëra votues që një vit më parë mund të kenë votuar, me hir a pahir, për regjimin e Edi Ramës, që sot e përbuzin me gjithsej dhe e tallin me gjithçka.

Sali Berisha dhe demokratët bënë betejat e tyre, me sakrifica e durim, me besimin se do të vinte dita kur edhe ca shqiptarë të tjerë, herët a vonë, do të vetëkorrigjoheshin.

Kjo po ndodh para syve tanë.

Po fryn erë e mbarë për Shqipërinë.