Boçi: Rama, mashtrime të përsëritura lidhur me statusin e zonës së mbrojtur të Zvërnecit
Seanca e radhës në Kuvendin e Shqipërisë është përfshirë nga debate të forta dhe akuza të rënda drejtuar mazhorancës. Deputeti i opozitës, Luçiano Boçi, ka mbajtur një fjalim të ashpër nga foltorja, duke akuzuar qeverinë për mashtrime të përsëritura lidhur me statusin e zonës së mbrojtur të Zvërnecit.
Gjatë fjalës së tij, deputeti deklaroi se qeveria është përfshirë nga paniku prej protestave qytetare, të cilat, sipas tij, do të sjellin pashmangshmërisht një qeveri teknike dhe zgjedhje të reja të lira. Ai denoncoi deklaratat e fundit të kryeministrit, i cili kishte mohuar heqjen e statusit mbrojtës për Zvërnecin. Për të mbështetur akuzat e tij për mashtrim ndaj qytetarëve dhe reporterëve të huaj, Boçi paraqiti një Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) të datës 26 tetor 2022, i cili provon degradimin e mbrojtjes për ekosistemin Pishë-Poro-Nartë. Situata është rënduar edhe më tej me një VKM të vitit 2024, që sipas deputetit, hoqi plotësisht mbrojtjen edhe për zonën qendrore të këtij peizazhi natyror.
Luçiano Boçi: Unë e di shumë mirë që frika juaj sot është bërë sa një mal. E kishit nga protesta, frika juaj sot nuk ndalet dhe patjetër që rezultati është i pritshëm. Dorëheqje, qeveri teknike, kujdestare dhe zgjedhje të reja, të lira dhe të ndershme. Dhe ju vazhdoni mashtroni, sepse ju nuk merrni dhe mësime nga historia. Ka dalë dje kryeministri juaj dhe pa pikë turpi ka deklaruar që ata protestuesit kanë dalë se i është hequr statusi Zvërnecit. Po kush e hoqi thotë? Çfarë statusi ka pasur Zvërneci? Dhe jep përgjigje po vetë që në krye të herës thotë Zvërneci ka qenë dhe do mbetet zonë me status pesë, peizazh i mbrojtur. Por kush është e vërteta? Sepse mashtruat dhe reporterët e huaj. Këtu është VKM-ja e datës 26 tetor 2022. Lexojeni mirë.
Thotë, për ndryshimin e statusit dhe të sipërfaqes së ekosistemit natyror ligatinor Pishë, Poro, Nartë, ku futet Zvërneci, nga rezervat natyror i menaxhuar në peizazh i mbrojtur dhe heqjen e statusit zonë e mbrojtur të sipërfaqes së pakësuar. Ja pra, mashtrimi juaj. Dhe ja e vërteta. E pasuat me ligjin e 2024-ës dhe madje pas kësaj nxorrët dhe një VKM tjetër, se nuk mjaftonte 2022-shi. Të 2024-ës, ku ndër tre nënzona, kishit përcaktuar një zonë që do ishte e mbrojtur qendrore, dhe në 2024-ën e hoqët dhe zonën qendrore. Kjo është e vërteta, prandaj kanë dalë ata njerëz.