Zhdukja e Eglant Koçit/ Zgjerohen kërkimet në Pëllumbas dhe Qafë Mollë, çfarë zbuloi TIMS për Shakajn
Policia e Tiranës ka përqendruar operacionet e kërkimit për gjetjen e Eglant Koçit në zonat malore të kryeqytetit. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kontrolle po ushtrohen kryesisht në Pëllumbas dhe Qafë Mollë, dy zona këto që vizitoheshin shpesh nga autori i dyshuar, Armand Shakaj.
Dëshmia e disa banorëve të zonës në Pëllumbas, të cilët kanë parë mjetin e Shakajt, ka bërë që policia të intensifikojë kontrollet në këtë perimetër. Sipas të dhënave nga sistemi TIMS, 41-vjeçari nuk ka rezultuar të ketë dalë jashtë kufijve të vendit, çka shton dyshimet e forta se ai po fshihet brenda. Grupi hetimor ka mësuar se Armand Shakaj vuan nga një problem shëndetësor.
Për këtë arsye, uniformat blu kanë vënë në gatishmëri edhe bluzat e bardha, duke kërkuar bashkëpunimin e spitaleve publike dhe private në rast se ai do të paraqitet për të marrë ndihmë mjekësore.