'Oligarkët po marrin tokat e shqiptarëve', Xhixho: Rama ka humbur legjitimitetin, të japë dorëheqjen
Në një deklaratë për mediat, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, u shpreh se qytetarët shqiptarë po ngriten në këmbë për të mbrojtur të drejtën e tyre më themelore: pronën.
Ajo kritikoi ashpër qeverinë e Edi Ramës, duke theksuar se politika e tij privilegjon klientët dhe oligarkët mbi interesin e qytetarëve, duke grabitur toka dhe pasuri natyrore.
Deputetja bëri thirrje për veprime të menjëhershme nga Kuvendi dhe nënvizoi se ky është momenti që Shqipëria të rifitojë drejtësinë, transparencën dhe shpresën për një të ardhme të sigurt për qytetarët e saj.
Deklarata e plotë:
Prej 11 ditësh me radhë, në Tiranë, në mbarë Shqipërinë dhe kudo në botë, qytetarë janë ngritur për të mbrojtur një të drejtë themelore: pronën. Çdo ditë që kalon, protestat bëhen më të mëdha dhe mesazhi më i qartë: toka e të parëve të shqiptarëve nuk është plaçkë për t’u ndarë mes oligarkëve, klientëve të pushtetit dhe kompanive offshore.
Kjo është një revoltë qytetare kundër grabitjes së pronës, kundër abuzimit me pasuritë kombëtare dhe kundër një qeverisjeje që ka vendosur interesat e një grushti njerëzish mbi interesat e shumicës së shqiptarëve.
Zvërneci, Sazani dhe Narta janë kthyer në simbolin e një qeverisjeje që nuk mbron interesin publik, por grabit pronat, shkatërron pasuritë natyrore dhe e trajton Shqipërinë si mall për shitje.
Dy vjet më parë kundërshtova me forcë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura dhe paralajmërova se ato do t’i hapnin rrugë betonizimit të pasurive natyrore të vendit.
Bashkë me kolegët e opozitës përdorëm çdo mjet ligjor për ta ndalur këtë projekt, por u përballëm me arrogancën e kartonave të Edi Ramës.
U bëmë pjesë e protestave para Kuvendit, e dëgjesave me shoqërinë civile, e padive në Gjykatën Kushtetuese.
Kërkuam konsultim me banorët, ekspertët dhe partnerët europianë, por qeveria zgjodhi të dëgjonte vetëm interesat e klientëve të saj.Pakënaqësia që i ka nxjerrë qytetarët në rrugë shkon përtej çështjes së pronës. Ajo buron nga 13 vite keqqeverisje, nga pensionet që nuk mjaftojnë për të përballuar jetesën, nga një sistem shëndetësor që nuk u garanton qytetarëve shërbimin që meritojnë dhe nga një arsim që po humbet çdo vit nxënës e studentë. Buron nga korrupsioni, padrejtësia dhe mungesa e shpresës.
Mbi të gjitha, buron nga emigracioni masiv që ka zbrazur qytete e fshatra të tëra. Kanë ikur sepse nuk kanë gjetur mundësi, siguri dhe perspektivë në Shqipërinë e Edi Ramës.
Ndaj ky Kuvend sot ka një detyrë: të dëgjojë thirrjet e qytetarëve, të shfuqizojë me procedurë të përshpejtuar ligje që nga Ligji i Investitorëve Strategjikë, gjithashtu të shfuqizojë ndryshimet e vitit 2024 të ligjit për zonat e mbrojtura, të ligjit të trashëgimisë etj.
Pas 13 vitesh në pushtet, Edi Rama mban përgjegjësi për rezultatet e qeverisjes së tij. Mesazhi që vjen nga qytetarët është i qartë: Shqipëria nuk mund të vazhdojë të qeveriset në interes të një grushti njerëzish, ndërsa shumica përballet me mungesë perspektive dhe pasiguri për të ardhmen.
Shqipëria ka nevojë për një drejtim të ri, që respekton pronën, mbron pasuritë kombëtare dhe vendos interesin e qytetarëve në qendër të çdo vendimmarrjeje. Kjo është kërkesa që po dëgjohet sot në rrugët e vendit.
Edi Rama nuk përfaqëson dhe nuk ka më legjitimitet, ndaj e vetmja zgjidhje është dorëheqja dhe hapja e rrugës për një qeveri teknike, si vullnet i qytetarëve për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Protesta riktheu shpresën dhe tregoi që vendi është në duar të sigurta.
Sovrani doli në shesh dhe kjo qeveri duhet të dëgjojë dhe të largohet për t’i hapur rrugën ndryshimit të pakthyeshëm për një Shqipëri të re.Shqipëria është e shqiptarëve.
Faleminderit!