Alarmi i shkencëtarëve: Bota po i afrohet kufirit kritik të ngrohjes globale, energjia e Tokës po çekuilibrohet
Planeti po i afrohet me shpejtësi pragut kritik të ngrohjes globale prej 1.5 gradë Celsius, ndërsa emetimet e gazrave serrë vazhdojnë të rriten në nivele rekord. Ky është përfundimi i raportit më të fundit të Treguesve të Ndryshimeve Klimatike Globale (IGCC), i publikuar nga një grup prej më shumë se 70 shkencëtarësh nga 17 vende të botës.
Sipas studimit, ngrohja e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor ka arritur në 1.37 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale dhe, nëse emetimet vazhdojnë me ritmet aktuale, kufiri prej 1.5 gradësh i përcaktuar nga Marrëveshja e Parisit mund të tejkalohet rreth vitit 2030.
Shkencëtarët paralajmërojnë se “buxheti global i karbonit” – sasia e dioksidit të karbonit që mund të emetohet ende pa kaluar pragun 1.5°C – është reduktuar në vetëm 130 miliardë ton CO2. Me nivelet aktuale të ndotjes, kjo rezervë pritet të shterojë brenda rreth tre vitesh.
Raporti tregon se emetimet globale të gazeve serrë arritën një rekord prej 56.8 miliardë tonësh ekuivalent CO2 gjatë vitit 2024, të nxitura kryesisht nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile. Në të njëjtën kohë, përqendrimi i dioksidit të karbonit në atmosferë ka arritur në 425.6 pjesë për milion, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Ekspertët theksojnë se planeti po grumbullon nxehtësi më shpejt se kurrë më parë. Çekuilibri energjetik i Tokës – diferenca midis energjisë që hyn nga Dielli dhe asaj që largohet nga planeti – është më shumë se dyfishuar në dekadat e fundit, duke përshpejtuar ngrohjen e oqeaneve, shkrirjen e akullnajave dhe rritjen e nivelit të deteve.
Një tjetër tregues shqetësues është rritja e temperaturës së oqeaneve. Niveli mesatar global i detit ka arritur një rekord të ri në vitin 2025, me një rritje prej 23 centimetrash krahasuar me fillimin e shekullit XX. Ndërkohë, valët e të nxehtit detar janë trefishuar krahasuar me vitet 1990, duke dëmtuar ekosistemet detare dhe rezervat e peshkut.
Raporti evidenton se pothuajse e gjithë ngrohja e dekadës së fundit lidhet drejtpërdrejt me aktivitetin njerëzor. Shkencëtarët paralajmërojnë se ndikimet e krizës klimatike tashmë po ndihen në mbarë botën dhe do të intensifikohen nëse nuk merren masa të menjëhershme për uljen e emetimeve.