E rëndë në Vlorë: Ra nga kati i 7-të i një pallati në Lungomare, ndërron jetë në spital 28-vjeçarja

Një ngjarje tragjike është shënuar në Vlorë, ku ka ndërruar jetë në spital një 28-vjeçarje që ra nga kati i shtatë i një pallati në zonën e Lungomares.

Sipas informacioneve paraprake, e reja u rrëzua nga lartësia në rrethana që ende nuk janë sqaruar plotësisht. Fillimisht, burime nga vendngjarja bënë me dije se pemët poshtë pallatit kishin amortizuar rënien, duke i dhënë mundësi të mbijetonte dhe të transportohej me urgjencë drejt spitalit.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 28-vjeçarja nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa po verifikohet nëse bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm apo për një rrëzim aksidental.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë një version zyrtar mbi shkaqet që çuan në këtë ngjarje të rëndë.